Shtëpia e Bardhë: I dërguari special i Trumpit do të udhëtojë në Moskë për bisedimet e armëpushimit

Shtëpia e Bardhë: I dërguari special i Trumpit do të udhëtojë në Moskë për bisedimet e armëpushimit

I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të udhëtojë në Moskë “më vonë këtë javë” për bisedime me zyrtarët rusë mbi një propozim armëpushimi që do të ndalonte luftën në Ukrainë për 30 ditë, konfirmoi sot Shtëpia e Bardhë, transmeton Anadolu.

Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz ka folur në telefon me homologun e tij rus më herët të mërkurën, duke theksuar se “ekipi i presidentit Donald Trump vazhdon të jetë i angazhuar” me homologët e tyre rusë përpara vizitës së Steve Witkoffit.

Leavitt nuk specifikoi ditën kur do të mbërrijë Witkoff, as me kë është planifikuar të ulet, por ajo i kërkoi Moskës të miratojë propozimin e armëpushimit.

“U bëjmë thirrje rusëve ta nënshkruajnë këtë plan. Kjo është më e afërta që kemi qenë me paqen në këtë luftë. Jemi në vijën e ’10-jardëshit’ dhe presidenti pret që rusët të na ndihmojnë të kalojmë në zonën përfundimtare”, u tha Leavitt gazetarëve, duke përdorur një analogji të futbollit amerikan, për të theksuar se marrëveshja është pothuajse e përfunduar dhe ka nevojë për mbështetjen e Rusisë për t’u realizuar.

Witkoff ka luajtur rol gjithnjë e më të madh në administratën Trump përtej fushëveprimit të lidhur me titullin e tij, duke punuar më parë në një marrëveshje që liroi amerikanin Marc Fogel, i cili ishte i ndaluar në Rusi për më shumë se tre vjet.

Ukraina pranoi armëpushimin 30-ditor të propozuar nga Washingtoni, të cilin Trump e ka quajtur “armëpushim total”, të martën pas bisedimeve me një delegacion amerikan të kryesuar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Waltz në Arabinë Saudite.

Deklarata e përbashkët e lëshuar pas takimit nuk përmendi “garancitë e sigurisë”, në thelb një angazhim nga SHBA-ja për të ndërhyrë nëse Rusia shkel armëpushimin, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një video-mesazh natën vonë se ato u diskutuan gjatë takimit.

Zelenskyy tha se SHBA-ja dhe Ukraina do të bisedojnë për garancitë e sigurisë në më shumë detaje nëse zbatohet një armëpushim.

Më herët sot, Trump kërcënoi se do të vendosë ndëshkime ekonomike “shkatërruese” ndaj Rusisë nëse presidenti Vladimir Putin refuzon marrëveshjen, fati i së cilës Trump tha se është në duart e Kremlinit.

“Ka gjëra që mund të bësh që nuk do të ishin të këndshme në aspektin financiar. Unë mund të bëj gjëra financiarisht që do të ishin shumë të këqija për Rusinë. Nuk dua ta bëj këtë, sepse dua të kem paqe”, tha ai.

“Ne jemi afër që ndoshta të bëjmë diçka”, shtoi presidenti amerikan.

MARKETING