OKB-ja: Krime të pashembullta janë kryer sistematikisht në Siri në periudhën e Asadit

Kreu i Mekanizmit Ndërkombëtar të Paanshëm dhe të Pavarur të Kombeve të Bashkuara (IIIM) që heton krimet në Siri, Robert Petit, njoftoi se gjatë periudhës së regjimit të Bashar Asadit në Siri janë kryer krime të pashembullta sistematikisht.
Petit iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Anadolus, lidhur me atë se çfarë ndodhi pas përmbysjes së regjimit të Asadit në Siri më 8 dhjetor 2024, krimet e kryera gjatë regjimit dhe llogaridhënies.
Duke nënvizuar se në vend ende po përjetohet një periudhë tranzicioni, Petit thotë se “zyrtarët e qeverisë kalimtare” janë shumë aktivë dhe se po përpiqen që të sigurojnë kontrollin.
“Mendoj se ka shumë arsye për të qenë me shpresë në përgjithësi, por në të njëjtën kohë ka shumë sfida përpara dhe një situatë e veçantë humanitare që është ende shumë e rëndë”, tha ai.
Ai rikujtoi se institucioni që ai përfaqëson IIIM më 21 dhjetor 2024 ka zhvilluar një vizitë në Siri, duke treguar se ata kanë hyrë në një zonë specifike ku ka shumë dokumente.
– “Ende ekziston një situatë shumë e brishtë ku dëshmitë mund të humbasin”
“Jemi në dijeni për një sasi të pabesueshme informacioni ende atje pavarësisht se shumica janë shkatërruar, vjedhur dhe humbur. Ka shumë dëshmi se regjimi vite të tëra ka kryer brutalitet duke përdorur të gjithë mjetet e tij. Ende ekziston një situatë shumë e brishtë ku dëshmitë mund të humbasin”, tha Petit, duke shtuar se presin leje nga autoritetet në Siri për të mundur të fillojnë punën atje.
Petit tha se ata shpresojnë të kenë akses në zonat ku ndodhen këto dëshmi të rëndësishme, duke theksuar se këto janë prova që tregojnë për ata që janë më përgjegjës për të gjitha krimet e kryera në Siri.
“Në vitet e regjimit të Asadit nuk u nisën procese ligjore për ata që i kanë kryer këto krime. Nuk kishte drejtësi në Siri për ata që i kryejnë këto krime. Kishte një imunitet të plotë”, tha ai.
“Është thelbësisht e rëndësishme që arkitektët kryesorë të këtyre krimeve të mbahen në mënyrë të qartë përgjegjëse dhe të ndiqen penalisht siç duhet. Në këtë mënyrë mund të zbulohet e vërteta dhe të sigurohet llogaridhënia e duhur. I gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë një proces në të cilin sirianët do të udhëheqin dhe vendosin vetë”, shtoi Petit.
– “Llojet e krimeve të kryere ishin të pashembullta nga disa aspekte”
Duke vënë në dukje se OKB-ja ka shumë përvojë në mjediset pas konfliktit, Petit kujtoi se kjo është arsyeja pse u krijua IIIM, për të ndihmuar në sigurimin e përgjegjësisë për mizoritë masive në Siri.
“Është e vërtetë që këto krime ishin të shumta dhe sistematike. Llojet e krimeve ishin të pashembullta nga disa aspekte. Mund të mendojmë vetëm për përdorimin e armëve kimike kundër civilëve, por edhe sistemi i burgjeve është pjesë e kësaj”, tha Petit.
Duke folur për një raport që ata përgatitën dy ditë para rënies së regjimit, duke dokumentuar më shumë se 100 qendra paraburgimi ku sirianë u burgosën, u torturuan dhe ishin pjesë e këtij sistemi për vite me radhë, Petit tha se 3 javë pas rrëzimit të regjimit në Siri i ka parë njerëzit me shumë shpresë.