Fidan: Incidentet në Latakia kanë qëllim të prishin politikën e Sirisë për të mos reaguar ndaj provokimeve

ë lidhje me përleshjet e fundit në Siri midis forcave qeveritare dhe besnikëve të liderit të rrëzuar Bashar al-Asad, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha sot se ka pasur një “përpjekje për të prishur politikën tashmë disajavore të qeverisë siriane për të mos reaguar ndaj provokimeve”, raporton Anadolu.
Duke folur në Aman të Jordanisë, Fidan theksoi gjithashtu rëndësinë e alavitëve, të krishterëve, druzëve dhe nusairive në Siri që të shmangin përfshirjen në çdo provokim.
Ai i bëri komentet në një konferencë të përbashkët shtypi gjatë një samiti të ministrave të jashtëm të Türkiyes, Jordanisë, Irakut, Libanit dhe Sirisë.
Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të vendeve, së bashku me shefat e inteligjencës dhe udhëheqësit ushtarakë, morën pjesë në takim. Ata diskutuan bashkëpunimin për sigurinë, kundërterrorizmin dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe dinamikat më të gjera rajonale.
Nga Türkiye, në takim morën pjesë ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes Yaşar Güler dhe shefi i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT) Ibrahim Kalın.
Fidan tha se diskutuan çështje që lidhen me stabilitetin e Sirisë, duke përfshirë antiterrorizmin dhe aktivitetet terroriste rajonale, duke shtuar: “Ne, sigurisht, jemi të përkushtuar të mbështesim plotësisht qeverinë e sapoformuar në Siri dhe të gjitha përpjekjet e saj për të stabilizuar vendin”.
Ai theksoi se as vendet e rajonit dhe as Türkiye nuk mbështesin asnjë iniciativë që do të minonte stabilitetin e Sirisë, duke theksuar se ata vazhdimisht kanë avokuar mbrojtjen e jetës së civilëve, pronës dhe të drejtave kulturore.
Ditët e fundit, provincat bregdetare të Latakias dhe Tartusit kanë qenë skenë e tensioneve të shtuara të sigurisë mes sulmeve të koordinuara nga besnikët e ish-regjimit të Bashar Asadit. Këto sulme – të përshkruara si më të rëndat që nga rënia e regjimit në dhjetor – shjënjestruan patrullat e sigurisë, pikat e kontrollit dhe spitalet, duke rezultuar në të vdekur dhe të plagosur.
Si kundërpërgjigje, forcat e sigurisë dhe ato ushtarake nisën operacione gjithëpërfshirëse për të gjurmuar sulmuesit. Operacionet kanë çuar në përleshje të ashpra, ndërsa zyrtarët e qeverisë pohojnë se situata po shkon drejt stabilitetit të plotë.
Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
Sharaa, i cili udhëhoqi forcat kundër regjimit për të rrëzuar Asadin, u shpall president për një periudhë kalimtare më 29 janar.