(VIDEO) Paga minimale, përplasen LSDM dhe VMRO

Partia opozitare LSDM vazhdon të adresojë kërkesën që paga minimale të jetë 500 euro për punëtorët. Deputetja opozitare, Sanja Llukarevska, tha sot në një konferencë për media se qeveria duhet të sigurojë para për rritjen e pagës minimale. Ajo më tej shtoi se, LSDM propozon masa konkrete dhe ligje të cilët do të ndalin rënien ekonomike, të cilat do t’i rrisin pagat dhe do t’i ulin faturat e qytetarëve, por VMRO-DPMNE me këmbëngulje i refuzon. Llukarevska theksoi se, nëse qeveria nuk siguron mjete për rritje të pagës, LSDM do të dorëzojë ligj për rritjen e pagës minimale.
Sanja Llukarevska, deputete e LSDM-së
“Inflacioni është rritur dhe është në 5%. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 20%. Prodhimi industrial është ulur me 1.4% dhe eksportet janë ulur me 5.9%. Pagat janë në stagnim, nuk ka rritje as të pagës minimale dhe as mesatare. Të dhënat më të reja janë shqetësuese – madje 83.000 punëtorë nuk e kanë marrë pagën e janarit! Kërkojmë nga pushteti dhe nga shumica parlamentare të sigurojë parë për rritjen e pagës minimale. Kjo është puna e Qeverisë, të gjejë para për paga më të larta për punëtorët dhe t’i ndihmojë ata”.
Ndërkaq, nga VMRO – DPMNE i kanë quajtur masat e LSDM-së të pazbatueshme dhe tërësisht të dështuara. Sa i përket pagës minimale, ai tha se qendrimi i Qeverisë për këtë çështje është tash më i njohur.
Dejan Prodanoski, Deputet i VMRO – DPMNE-së
“Qëndrimet e Qeverisë i dini mirë se, nëse Këshilli Social Ekonomik dakordon pagë e cila do të jetë në atë shumë, qeveria me siguri do të pranojë dhe në atë drejtim do të shkonim. Ndërhyrja me zgjidhje ligjore tani me të vërtetë është jo korekte sepse negociatat kanë filluar dhe po punohet në Këshillin Social Ekonomik dhe po rrjedhin bisedimet që duhet të tregojnë se a është gati ekonomia që paga minimale të arrijë në atë shumë”.
Qeveria dakordohet që paga minimale të rritet në 500 euro, megjithatë, nuk ka pranuar propozimin e odave ekonomike që të subvencionojë për një periudhë të caktuar një pjesë të caktuar të pagave.
Teuta Buçi /SHENJA/