(VIDEO) Janevska: Po bëjmë një hulumtim për punësimin e studentëve

“Ne po përpiqemi të përmirësojmë cilësinë e arsimit, i cili në të kaluarën shpesh ishte shkak që rinia të largohej në shtete të tjera duke kërkuar mundësi më të mira arsimore. Do të bëjmë ndryshime të mëdha, por është e nevojshme një bashkëpunim më i fuqishëm me të gjithë aktorët, veçanërisht me universitetet dhe komunitetin e biznesit, për të ndalur procesin e migracionit”. Kështu tha sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke theksuar se bëhet fjalë për një sfidë të madhe, duke pasur parasysh se për shtatë vjet në shtet ka pasur 17 mijë nxënës më pak, ndërsa numri i studentëve është ulur me 7 mijë. Të dhënat u prezantuan në një ngjarje në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup, ku u prezantuan rezultatet e projektit ‘Skills4Justice’, i cili adreson çështje të lidhura me migracionin e popullsisë dhe po zbatohet në kuadër të programit Horizont të Bashkimit Evropian.
Janevska sqaroi se ministria e arsimit po bën një hulumtim në të gjitha universitetet shtetërore dhe gjenerata e të diplomuarve në vitin akademik 2022/2023, për të parë se në çnivel është punësimi i të diplomuarve dhe nëse janë të kënaqur me punën dhe pagat që marrin. Sipas saj ky hulumtim do ti ndihmojë të shohim më saktë se çfarë cilësie prodhojnë universitetet tona dhe çfarë duhet të ndryshojë.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT
“Hulumtimi do të na tregojë nëse nevojiten programe të reja studimore, nëse do të ishte mirë të futeshin studime ndërdisiplinore më shumë mësim me praktikë në fakultete të caktuara, ridefinimi i kuotave etj. Rezultatet do të jenë bazë e dobishme për krijimin e politikave të ardhshme të arsimit të lartë”.
Ministrja informoi se është në proces të përgatitjes së Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, i cili do të jetë bazë e mirë për vendosjen e themeleve të forta për arsimin e lartë. Ajo sqaroi se po shqyrtohen mundësitë në ligj që në të ardhmen të përfshihet një masë për ofrimin e punësimit për studentët më të mirë të çdo gjenerate në universitetet publike dhe institucionet shkencore. /SHENJA/