(VIDEO) Rezoluta e OKB-së për Ukrainën, ambasadori francez: Pozicionimi i RMV-së ishte i papritur

(VIDEO) Rezoluta e OKB-së për Ukrainën, ambasadori francez: Pozicionimi i RMV-së ishte i papritur

Dalja e Ukrainës nga konflikti është një gjë e domosdoshme, megjithatë ka edhe një temë më të rëndësishme, që është vlera që Evropa i jep integritetit territorial, ka thënë sot ambasadori francez në Shkup, Kristofer Le Rigoler. I pyetur sot se, a mund të reflektohet në rrugën e eurointegrimeve pozicionimi i vendit për rezolutat e OKB-së, ai tha se, vendimi i Maqedonisë së Veriut në votimin për rezolutat për Ukrainën ka qenë i papritur.

Kristofer Le Rigoler, ambasadori i Francës në RMV

Vërtetë, ju po i referoheni një teme të rëndësishme, lidhur me vendimin për votimin e Maqedonisë së Veriut në Nju Jork, që për ne ishte i papritur. Mendoj se duhet të përqendrohemi tek tema që është e rëndësishme, sepse u zhvilluan votimet në Nju Jork për projektin e rezolutës. Ka vërtet një nevojë për daljen nga konflikti në Ukrainë, por ka edhe një temë më të rëndësishme, dhe ajo është vlera që ne sot i japim në Evropë integritetit territorial, respektimit të sovranitetit, imperializmit të një fqinji ndaj një fqinj tjetër, deri në atë pikë sa po mohohet ekzistenca e tij, identiteti dhe gjuha”.

Ambasadori francez më tej shtoi se, kjo është një temë e cila kërkon një përgjigje të vetme evropiane.

Kristofer Le Rigoler, ambasadori i Francës në RMV

Qëllimi i diplomacisë evropiane sot, qëllimi i secilit prej nesh, është pikërisht të ruhet ai unitet dhe të kemi një qasje të përbashkët që do të sigurojë sigurinë e kontinentit në vitet e ardhshme, dekadat që vijnë për ne dhe fëmijët tanë”.

Komentet e ambasadorit francez vijnë pas zhvillimeve të fundit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 24 shkrut, miratoi dy rezoluta, njëra e mbështetur nga Bashkimi Evropian me të cilën bëhet thirrje për sovranitet dhe integritet territorial të Ukrainës dhe dënohet agresioni rus. Dhe rezoluta tjetër e paraqitur nga SHBA, me të cilën bëhet thirrje për përfundimin e luftës, por nuk përmendet agresioni rus. Në këtë mbledhje, Maqedonia e Veriut nuk e kishte të harmonizuar pozicionin me atë të Bashkimit Evropian, përkatësisht abstenoi gjatë votimit të rezolutës së sponzorizuar nga BE, ndërsa ishte bashkësponorizuese e rezolutës së SHBA-së.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING