Qatip Osmani largohet nga posti i trajnerit të Struga Trim Lum

Pas një serie rezultatesh jo të mira, veçanërisht në startin e pjesës pranverore të sezonit, Qatip Osmani ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të Struga Trim Lum. Klubi ka pranuar dorëheqjen e tij dhe tashmë është në kërkim të një pasuesi për stolin e kampionëve në fuqi të Maqedonisë së Veriut.
Osmani mori drejtimin e Strugës në maj të vitit të kaluar dhe gjatë kësaj periudhe udhëhoqi skuadrën në 26 ndeshje, duke regjistruar 12 fitore, 5 barazime dhe 9 disfata. Nën drejtimin e tij, Struga luajti në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës, si dhe garoi në kampionat e Kupën e Maqedonisë.
Klubi strugan e falënderon strategun tetovar për profesionalizmin e tij dhe i uron suksese në vazhdim të karrierës. Në ditët në vijim, drejtuesit e Strugës pritet të vendosin për emrin e trajnerit të ri që do të drejtojë skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit.