Motta, pas triumfit ndaj Interit: Fitore të tilla sjellin besim dhe vetëdije

Fitorja e tretë radhazi në kampionat, e rëndësishme siç mund të jetë vetëm një sukses kundër Interit. Tri pikë dyfish të vlefshme, si për renditjen e Juventusit, ashtu edhe për ndalimin e rivalëve të përjetshëm në garën për titull me Napolin.
Pas një pjesë të parë të vakët, Thiago Motta pa ekipin e tij të rritej dhe të imponohej, duke shfrytëzuar krijimtarinë e Kolo Muanit dhe saktësinë para portës së Conceiçao. Trajneri bardhezi u shpreh pas derbit të Italisë:
“Në pjesën e parë ndoshta kishim shumë respekt për një kundërshtar shumë të fortë. E dinim që ata lëvizin shumë me topin, kanë cilësi dhe nëse nuk përpiqesh t’i vësh në vështirësi, nuk arrin ta rikuperosh topin. Në pjesën e parë Interi e meritonte më shumë.
Po të kishim vazhduar ashtu, mund të kishim fituar vetëm me fat, por unë gjithmonë them se fitorja duhet merituar. Në pjesën e dytë u futëm me një energji tjetër, luajtëm më mirë dhe fituam me meritë”.
Trajneri bardhezi theksoi edhe një aspekt psikologjik: “Kam vënë re një vështirësi emocionale kur luajmë në shtëpi, ndërsa në ndeshjet në transfertë shpesh kemi bërë më mirë që në pjesën e parë. Fitore të tilla sjellin besim dhe vetëdije”.
Ai vlerësoi edhe hyrjen e Locatellit në minutat e fundit: “Thuram luajti mirë, veçanërisht në pjesën e dytë, pastaj doli sepse kishte ngërçe. Manuel hyri në një moment kur mund të kishte vështirësi, por mbrojti mirë dhe rikuperoi topa në mënyrën e duhur”.
A ndihet Thiago Motta më pranë zemrës së tifozëve të Juves, pas fitores në “Derby d’Italia”? “Nuk e di. Qëllimi im është ta përmirësoj këtë skuadër dhe të jap maksimumin. Nuk stërvis për t’i bërë qejfin askujt, por për veten time.
Më pëlqen të shoh djemtë e mi të luajnë futboll dhe të fitojnë me meritë. Pastaj, është bukur që lojtarët kanë mbështetjen e tifozëve, e meritojnë për përkushtimin që tregojnë”, – përfundoi trajneri bardhezi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.