(VIDEO) S’ka qendër të re klinike
![(VIDEO) S’ka qendër të re klinike](https://shenja.tv/wp-content/uploads/2025/01/Spitali-Shteteror.webp)
Qeveria e ka pezulluar iniciativën për ndërtimin e Qendrës së re Klinike, dhe në vend të saj, planifikon që Spitali i Përgjithshëm “8 Shtatori” të bëhet qendër rajonale për trajtimin e pacientëve nga Shkupi, Kumanova dhe Velesi. Kështu tha sot drejtori I Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, i cili prezantoi buxhetin e FSSH për këtë vit të quajtur “Plani 2025”. Klekovski theksoi se, ndërkohë që është pezulluar ideja për ndërtimin e një Klinike të re, do të shqyrtohen nevojat e qytetarëve.
SASHO KLEKOVSKI, DREJTOR I FONDIT SHËNDETËSOR
“Demografia jonë po bie. Me kalimin e viteve, po kemi gjithnjë e më pak popullsi, kështu që duhet të shohim edhe numrin e të siguruarve dhe pacientëve”.
Sipas tij, disa nga kapacitetet spitalore në vend nuk janë përdorur siç duhet, dhe nga të gjithë ato, më afër standardeve për diçka më shumë, duke përfshirë edhe për një klinikë universitare, është spitali “8 Shtatori”.
Ai sqaroi se ky spital ka 150 metra katrorë kapacitete spitalore, që është shumë më tepër krahasuar me Spitalin e Vjetër të Qytetit i cili ka vetëm 30 metra katrorë.
SASHO KLEKOVSKI, DREJTOR I FONDIT SHËNDETËSOR
“Një metodë që nuk zbatohet në Klinikë, po zbatohet në ‘8 Shtator’. Këtu shohim më së shumti potencial, përmes investimeve të pakta mund të arrijmë një rezultat më të mirë. Përveç Onkologjisë, mendoj se do të shpallen projekte të reja, si për shembull Nefrologjia”.
Ai tha se për këtë iniciativë do të jenë të nevojshme ndryshime ligjore.
Buxheti i Fondit për këtë vit është 53.4 miliardë denarë, ose 7 miliardë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Klekovski informoi sot se me këtë shumë, do të vendoset një fokus i veçantë në rritjen e fondeve për laboratorët diagnostikues për mbulim më të mirë dhe zvogëlimin e kohës së pritjes për këto shërbime.
Qendra e re klinike është paralajmëruar nga disa qeveri të mëparshme, por asnjë nuk ka filluar ndërtimin deri tani. Si zgjidhje alternative, Qeveria e Micksovskit propozoi bashkimin e klinikave brenda Klinikës së Shkupit. /SHENJA/