BDI: Një javë dhune institucionale kundër shqiptarëve, shtatë ditë që do lënë pasoja për vite

BDI: Një javë dhune institucionale kundër shqiptarëve, shtatë ditë që do lënë pasoja për vite

Në një javë që zbuloi fytyrën e vërtetë të një pushteti që i trajton shqiptarët si të padëshiruar në shtetin e tyre, provokimet nuk u ndalën për asnjë ditë, thuhet në kumtesën e sotme të BDI-së.

“Zëvendëskryeministri Stoilkovic, i cili më parë u vendos në krye të ministrisë përgjegjëse për Marrëveshjen e Ohrit jo për ta mbrojtur, por për t`i provokuar shqiptarët, tani merr edhe dekoratën “Vojvoda Vuk” nga një shoqatë që promovon vlerat e luftërave të viteve 1912-1918, periudhë kur shqiptarët u masakruan dhe u dëbuan nga trojet e tyre, ndërsa as maqedonasit nuk kaluan më mirë. Një provokim i pastër, një sfidë e hapur ndaj viktimave dhe historisë.

Milorad Dodik, mohuesi i masakrave të Srebrenicës dhe Kosovës, u prit në Shkup me nderime të larta shtetërore dhe nga këtu lëshoi mesazhe kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke e glorifikuar Rusinë, duke treguar se kjo qeveri nuk ka asnjë orientim perëndimor, por vetëm lidhje me forcat që i kanë sjellë tragjedi Ballkanit.

Në një ditë historike për shqiptarët, 28 janari shënoi përvjetorin e emërimit të kryeministrit të parë shqiptar, por në kushte të turpshme, ku shqiptarët provokohen dhe diskriminohen si kurrë më parë.

Në Kuvendin e drejtuar nga mohuesi i gjuhës shqipe, Afrim Gashi, u punësuan vetëm tre shqiptarë dhe njëzet maqedonas, me vendime që miratohen ekskluzivisht në gjuhën maqedonase.

Qeveria ia hoqi statusin e personit juridik Inspektoratit të Gjuhës Shqipe, në mënyrë të paligjshme dhe me qëllimin e qartë të eliminimit të çdo mekanizmi mbrojtës të barazisë gjuhësore. Një veprim që nuk është vetëm sulm ndaj një institucioni, por ndaj të gjithë shqiptarëve.

Kryeministri publikoi listën e 17 këshilltarëve të tij, ku shqiptarët janë pothuajse inekzistentë. Kjo është një dëshmi e qartë se shqiptarët nuk janë të mirëpritur në qeverisjen e tij dhe se për ta nuk ka vend në vendimmarrje.

Në kufirin me Kosovën, vazhdojnë kolonat poshtëruese dhe të qëllimshme në Bllacë, një përpjekje e orkestruar për të penguar komunikimin e përditshëm mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit”, thonë nga BDI.

Nga atje thonë se qeveria aktuale po sundon mbi shqiptarët me arrogancë dhe diskriminim./

MARKETING