Skuadrat shqiptare vazhdojnë miqësoret përgatitore
Kampionët e vendit Struga T&L janë mundur 1:0 në Antalia nga Rubin Kazani i Rusisë, derisa Arsimi i Çegranit ka barazuar 3:3 me Borecin e Velesit.
Struga Trim Lum ka pësuar humbjen e parë në fazën përgatitore në Antalia, duke u mundur minimalisht 1:0 nga Rubin Kazan. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua që në sekondën e 22-të pas një gabimi në krahun e djathtë të mbrojtjes së Strugës. Ndeshja, e zhvilluar nën reshje të vazhdueshme shiu, ofroi një test të fortë për ekipin e Qatip Osmanit.
Ndërkohë, në një tjetër ndeshje miqësore, Arsimi i Çegranit barazoi 3:3 ndaj Borecit të Velesit. Golat për ekipin nga Çegrani u shënuan nga Ajradin Cuculi, Alban Taipi dhe Maliq Beluli. Stafi teknik aktivizoi të gjithë lojtarët, duke vazhduar përgatitjet për fillimin e sezonit pranveror.
Të dy skuadrat shqiptare po vazhdojnë testet për të ngritur formën për garat zyrtare që pasojnë.