(VIDEO) Sindikata kritikon qeverinë dhe opozitën, me vite kishim dialog por jo zgjidhje
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të administratës së organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve Trpe Deanoski në konferencën e sotme për media i është përgjigjur deklaratës së qeverisë lidhur me protesten e tyre. Ai thotë se dialog dhe komunikim ka pasur vite me rradhë por se zgjidhje akoma nuk është gjetur. Ai gjithashtu kërkoi nga opozita aktuale që të mos i “ngjiten” protestave dhe grevës së një pjese të administratës publike për shkak të pagave të ulëta sepse sipas tij ata kishin shtatë vite kohë për ta zgjidhur problemin, por bënë gjithçka që mundën për të ndaluar marrëveshjen kolektive, madje thotë se ishin qeveria e parë që anuloi një marrëveshje kolektive.
TRPE DEANOSKI, KRYETAR I SINDIKATËS
“Dua ta përmirësoj deklaratën e djeshme të qeverisë sepse sigurisht e kanë ngatërruar sindikatën tonë me ndonjë sindikatë tjetër. Për rikujtim, sindikata jonë vetëm në vitet 2022, 2023 dhe 2024 organizoi tre greva dhe të paktën 20 protesta prej të cilave në protestën e dhjetorit të vitit 2023 mbi 5000 punëtorë të administratës dhe gjyqësorit dolën në rrugë dhe kërkuan paga më të larta. Kërkesat mbeten të njëjta dhe i bëjmë apel Qeverisë dhe ministrive përkatëse që sa më parë të fillojnë negociatat dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme reciproke”.
Kryetar i Organizatës Sindikale në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Branko Kostovski tha se pagat e 70% të të punësuarve në ministri janë nën pagën mesatare të vendit, ndërsa diferenca me pagat e të punësuarve në të njëjtat pozita në organet shtetërore që kanë marrë shtesën bazë të pagës është 30 %.
BRANKO KOSTOVSKI, KRYETAR I ORGANIZATËS SINDIKALE NË MINISTRINË E KULTURËS
“E mirëpresim rritjen e pagave të kolegëve tanë nga organet e tjera shtetërore, por në të njëjtën kohë kërkojmë nga ministri i Financave, Qeveria dhe kryeministri që të mos lejojnë trajtim të pabarabartë të punonjësve në organet shtetërore. Përgjegjësia e kolegëve kudo është e madhe, por të kujtojmë se Ministria e Kulturës dhe Turizmit i shërben punës së 72 institucioneve kombëtare dhe 49 lokale në fushën e kulturës dhe në kuadër të konkurseve vjetore të Ministrisë mesatarisht përpunohen rreth 5000 aplikime, nga të cilat të paktën për gjysmën e tyre gjysma vijojnë detyrimet, nënshkrimi i kontratave dhe monitorimi i tyre”.
Të martën, zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva ngriti dyshime se protesta e institucioneve publike është me prapavijë politike, ndërsa nga LSDM e përkrahën protestën.
Protestat siç njoftoi Deanoski do të vazhdojnë çdo ditë nga ora 11:00 deri në ora 11:30, ndërsa të premten nga ora 11:00 deri në ora 12:00 do të mbahet protestë para Ministrisë së Financave.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/