(VIDEO) Sela “sulmohet” sërish për vdekje, Karnavali i Vevçanit ironizon
Karnavali i Vevçanit nuk kaloi as edhe këtë vit pa ndonjë skandal, ku siç është bërë tradit, çdo vit tallen me shqiptarët, ndërsa kësaj here ata kishin improvizuar dhe satirizuar një pjesë ku bëhet tentim për vrasjen kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Disa persona e kanë tërhequr zvarrë një person të gjakosur, njejtë siç e tërhiqnin Ziadin Selën më 27 prill të vitit 2017 në ngjarjen e përgjakshme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Për këtë skandal kanë reagur partitë shqiptare opozitare. Nënkryetari i ASH-së, Isen Shabani, tha se ironizimi me tragjedinë e 27 prillit në Karnevalin e Vevçanit është provokim i rëndë që duhet të ndëshkohet. Sipas tij, kjo është madje edhe më rëndë se tentim vrasja e Selës në të atë kohë.
ISEN SHABANI,NËNKRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Shfaqja në karnevalet e Vevçanit është vazhdimësi, ndoshta edhe më e rëndë se sa vet sulmi dhe tentimi për vrasje i 27 prillit 2017. Kërkojmë nga autoritetet kompetente dhe të gjithë faktorët politik dhe institucional, që të ndëshkojnë veprimet e këtilla, që prekin jo vetëm ndenjat personale dhe familjare të z.Sela, por edhe të një populli të tërë në vend dhe më gjërë. Për këto veprime, organizatorët dhe personat që realizuan këtë shfaqje të rëndë dhe nënçmuese duhet të mbajnë përgjegjësi lirgjore dhe rastet e këtilla të mos përsëriten”.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër këtë akt dhe thonë se kjo është një shkelje e rëndë e dinjitetit njerëzor dhe një provokim i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin shoqëror.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Është e paimagjinueshme që një ngjarje kaq serioze, që ka tronditur shumë qytetarë dhe që ka lënë pas pasoja të rënda për jetën e individëve, të përdoret si objekt talljeje dhe urrejtjeje në një aktivitet publik. Pavarësisht se ky akt ka ndodhur para syve të institucioneve dhe opinionit, askush nuk ka reaguar, nuk ka dënuar dhe nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar normalizimin e urrejtjes dhe dhunës”.
BDI thotë se në kohën kur shqiptarët dhe grupet e tjera etnike dënohen për aktivitete paqësore dhe kulturore, individë të caktuar në Vevçan e përdorin këtë karneval për të shpërndarë mesazhe të urrejtjes dhe dhunës. “Kjo është një formë e papranueshme e ngacmimit dhe nxitjes së ndarjeve etnike dhe sociale”, vlerëson BDI. Nga Partia e Ahmetit kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe të fuqishëm nga të gjitha institucionet përkatëse.
Samir Mustafa /SHENJA/