Turqi, 4 persona humbin jetën nga rrëzimi i një helikopteri
Katër persona kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm si pasojë e rrëzimit të një helikopteri të ndihmës së shpejtë në jugperëndim të Türkiyes, raporton Anadolu.
Helikopteri u rrëzua në një zonë të hapur pasi u përplas me një ndërtesë spitali në provincën turke Muğla.
Guvernatori i provincës Muğla, İdris Akbıyık, njoftoi se dy pilotë, një mjek dhe një punonjës mjekësor humbën jetën në aksident.
Akbıyık tha se helikopteri që fluturonte nga Antalya, sipas vlerësimeve të para, ra në një zonë të hapur pasi u përplas me një ndërtesë spitali.
Ai shtoi se në zonën ku ndodhi aksidenti ka pasur mjegull dhe se shkaku i saktë i rrëzimit do të përcaktohet pas një hetimi.
Gjithashtu raportohet për dëme në pjesën e jashtme të godinës së spitalit.
Në vendngjarje menjëherë janë dërguar ekipet e emergjencës, policia dhe pjesëtarët e Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).