(VIDEO) Në transportin publik do të përfshihen edhe transportuesit privatë, por jo me kapacitet të plotë
Nga dita e hënë, në transportin publik të qytetit do të përfshihen edhe transportuesit privatë, por jo me kapacitet të plotë. Përfaqësuesit e tyre thanë sot se në trafik do të përfshihen edhe ata transportues që kanë mundësi financiare. Ata apeluan kryetaren e qytetit të Shkupit, këshilltarët dhe Qeverisë që në mbledhje të përbashkët të gjejnë zgjidhje të pranueshme për kërkesën e tyre për rritje të çmimit për kilometër.
JOVICA ZAVIROFSKI, TRANSPORTUES PRIVAT
“Transportuesit privatë nga e hëna do të japin maksimumin e tyre, gjegjësisht do të përfshihemi në orët e hershme të mëngjesit me aq sa mundemi, jo me kapacitet të plotë, që për disa ditë tu dalim në ndihmë qytetarëve në qytetin e Shkupit. Në të njëjtën kohë, shfrytëzojmë rastin tu apelojmë të gjithë këshilltarëve në Qytetin e Shkupit, kërkojmë që me konsensus të votohet për rritje të çmimit për kilometër me qëllim të përmirësimit të gjendjes në transportin publik të qytetit. Me një çmim të rritur, ne marrim përsipër të rinovojmë transportin tonë me autobusë ekologjik të klimatizuar”.
Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi të enjten pasi, për shkak të mungesës së karburantit, shumica e autobusëve të NTP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre. Momentalisht janë vënë në qarkullim 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë rezervë të karburantit. Qeveria ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në të cilën është marrë vendim që të intervenohet me karburant nga rezervat shtetërore, në mënyrë që autobusët të kenë karburant edhe për shtatë ditë të tjera.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/