Hakimi rinovon me PSG deri në vitin 2029, trajneri e ‘pagëzon’ liderin e skuadrës
Achraf Hakimi, mbrojtësi i djathtë i PSG-së dhe ish-lojtar i Interit, ka vendosur të zgjasë kontratën e tij deri në vitin 2029. Sipas raportimeve të “L’Equipe”, 26-vjeçari ia ka komunikuar vendimin e tij klubit disa ditë më parë, duke konfirmuar qëndrimin në kryeqytetin francez edhe për 5 vite të tjera. Këtë sezon, ai ka marrë pjesë në 13 ndeshje, 9 prej tyre në Ligue 1 dhe 4 në Champions League, të gjitha si titullar, duke shënuar 2 gola.
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, foli për të në konferencë për shtyp: “Unë nuk e di nëse është i pari, i dyti, i treti në hierarki për rolin e tij. Kjo nuk më intereson shumë. Ideja ime përputhet plotësisht me karakteristikat e tij. Është e vërtetë që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në dhomën e zhveshjes. Ka gjithmonë dëshirën të luajë sa më shumë, por përpiqemi ta pushojmë. Hakimi ka aftësi fizike spektakolare”.
Luis Enrique shtoi: “Në aspektin profesional, ai është ende në nivelin e lartë, sikurse e gjeta kur erdha këtu. Mendoj se përshtatet në mënyrë perfekte me karakteristikat tona. Ka pasur sezone shumë të mira, tani ka përmirësuar personalitetin e tij dhe është gjithashtu i rëndësishëm për përfaqësuesen. Ai është një lider, jo vetëm me fjalë, por edhe në fushë”.