(VIDEO) LSDM dhe VMRO përplasen për çmimet dhe pagat
“Është vërtetuar ajo që thamë dhe ajo që qytetarët shohin çdo ditë – nuk ka ulje çmimesh në tregje, masat e qeverisë nuk dhanë rezultat”. Në këtë mënyrë shprehet deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska duke sqaruar se, të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se çmimet me pakicë në tetor janë ulur për vetëm 0,1%. Sipas saj, kjo do të thotë se nuk do të ketë ulje të çmimeve, andaj deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Qeveria duhet urgjentisht ta pranojnë pakon e zgjidhjeve ligjore të LSDM-së.
Jovanka Trençevska, deputete e LSDM-së
“Të miratohet Ligji për rritjen e pagës minimale në 450 euro. Të miratohet Ligji për heqjen e TVSH-së për ushqim, me të cilin qytetarët do të kursejnë deri në 2000 denarë në muaj. Është urgjente të zbatohet Ligji për praktika të padrejta tregtare për të parandaluar rritjen e re të çmimeve”.
Siç shtoi ajo më tej, këto pako zgjidhje të LSDM-së do të nënkuptojnë ulje të çmimeve, rritje të pagave, gjegjësisht më shumë para për qytetarët dhe buxhetet familjare. Ajo thotë se po japin dorën për bashkëpunim dhe se njëkohësisht është për të ardhur keq nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së janë të gatshëm të udhëheqin inatet politike duke refuzuar zgjidhjet e mira në dëm të qytetarëve.
Pas preskonferencës së LSDM-së, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të VMRO-DPMNE-së, Alesandër Jamalov.
Alesandër Jamalov, deputet i VMRO-së
“LSDM nuk ka kredibilitet të flasë për politika ekonomike. Është paradoksale që të mbajnë preskonferenca persona, të cilët në mandatin e kaluar kanë pasur një rol të pandashëm në shembjen e sistemit ekonomik dhe të standardit të jetesës. Njerëzit që shkatërruan ekonominë maqedonase dhe që standardin e qytetarëve e sollën në fund, tani me shqetësim të rremë ofrojnë zgjidhje jo të plota që nuk mund ta përmirësojnë jetën e qytetarëve”.
Jamalov më tej u shpreh duke thënë se ata kanë plane konkrete që tashmë sipas tij japin rezultat.
Ai kërkoi që LSDM të votojë për rritjen e pagave për të gjithë punonjësit, të votojë për siç tha ai rritjen e pensioneve për 5 mijë denarë dhe për plot projekte të tjera. “U bëjmë thirrje pasanikëve të Dubait të zgjohen dhe nëse vërtet mendojnë mirë për njerëzit, të mbështesin buxhetin për vitin 2025”- tha Jamalov.
Anida Murati /SHENJA/