Lëkundet koalicioni i Scholzit, Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohshme

Lëkundet koalicioni i Scholzit, Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohshme

Koalicioni qeverisës i Gjermanisë është lëkundur të mërkurën pasi kancelari, Olaf Scholz shkarkoi ministrin e tij të Financave dhe hapi rrugën për zgjedhje të parakohshme, duke shkaktuar kaos politik në ekonominë më të madhe të Evropës, disa orë pasi Donald Trumpi fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Pas shkarkimit të ministrit të Financave, Christian Lindner të partisë Demokratët e Lirë (FDP), Scholzi pritet të kryesojë një qeveri të pakicës me Social Demokratët e tij dhe të Gjelbërit, partia e dytë më e madhe, raporton Reuters.

Ai do të duhet të mbështetet në shumicën e bashkuar parlamentare për të miratuar legjislacionin, teksa ka në plan të mbajë një votëbesimi parlamentar në qeverinë e tij më 15 janar, gjë që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme deri në fund të marsit.

Scholzi ka thënë se do t’i kërkonte Friedrich Merz, kreut të konservatorëve të opozitës që janë shumë përpara në sondazhe, mbështetje në miratimin e buxhetit dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake. Merz do të përgjigjet në një konferencë për shtyp të enjten në mëngjes.

Rënia e aleancës trepalëshe të Scholzit mbulon muaj të tërë mosmarrëveshjesh mbi politikën buxhetore dhe drejtimin ekonomik të Gjermanisë, me popullaritetin e qeverisë në fundosje dhe forcat e ekstremit të djathtë dhe të majtë në rritje.

“Ne kemi nevojë për një qeveri që është në gjendje të veprojë, që ka forcën për të marrë vendimet e nevojshme për vendin tonë”, u ka thënë Scholz gazetarëve.

Scholzi ka shtuar se ka shkarkuar Lindnerin për sjelljen e tij penguese në mosmarrëveshjet buxhetore, duke akuzuar ministrin për vendosjen e partisë para vendit dhe bllokimin e legjislacionit për arsye të rreme.

Masa vjen një ditë pas zgjedhjes së republikanit, Donald Trump si president i SHBA-së, teksa Evropa po përpiqet të formojë një përgjigje të bashkuar për çështjet, duke filluar nga tarifat e reja të mundshme të SHBA-së e deri te lufta e Rusisë në Ukrainë dhe e ardhmja e aleancës së NATO-s.

Kriza e qeverisë vjen në një pikë kritike për Gjermaninë, me një ekonomi të dobësuar, infrastrukturë të vjetruar dhe një ushtri të papërgatitur.

Me Francën që po përballet gjithashtu me pasiguri politike pas zgjedhjeve të parakohshme këtë vit, trazirat në dy ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Evropian mund të pengojnë përpjekjet për të thelluar integrimin e bllokut në një kohë kur ai po përballet me sfida nga lindja dhe perëndimi.

MARKETING