(VIDEO) Rrustemi: Korridori 8 u konfirmua si një prej projekteve më të rëndësishme me relevancë strategjike
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një konference për media ka shprehur kënaqësinë që Korridorit 8 dhe 10d po vazhdojnë të ndërtohen, pavarësisht që po realizohen nga një qeveri siç thonë, pa legjitimitet etnik. Ish drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore, Ejup Rustesmi theksoi qeveria e tanishme deri dje e ka kundërshtuar ashpër këtë projekt dhe kanë kërcënuar me anulimin e tij, sot sipas tij, e quajnë atë një projekt historik. Ky ndryshim qëndrimi Rustemi thotë se tregon vlerën e pamohueshme që Korridori 8 përfaqëson për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe për përmirësimin e lidhjeve të saj me rajonin dhe Evropën.
EJUP RUSTEMI, ISH DREJTOR I NDËRMARRJES PUBLIKE RRUGËT SHTETËRORE
“Politikat e BDI-së kanë qenë gjithmonë në interes të qytetarëve, dhe rezultatet e përditshme i bindin ata se akuzat dhe sulmet e drejtuara ndaj nesh nuk ishin asgjë tjetër përveçse përpjekje për të arritur pushtetin pa mbështetje të vërtetë. Përkundër kritikave, ne kërkojmë që ky projekt i rëndësishëm të realizohet me sukses. Gjithashtu, apelojmë për ndërtimin e tunelit në aksin rrugor Gostivari -Bukojqan, duke e vlerësuar këtë si zgjidhjen më të përshtatshme për ndërtimin e Korridorit 8”.
BDI kërkon që fondet e përcaktuara për këtë projekt të përdoren sipas planifikimit, pa asnjë pengesë apo vonesë të panevojshme. Ejup Rustemi tha se ky projekt mban vulën e BDI-së, duke shtuar se gjithashtu mban vulën e angazhimit të tyre për të mirën e përbashkët dhe të ardhmen më të mirë të Maqedonisë së Veriut.
Samir Mustafa /SHENJA/