Nënkryetari i TIKA-s, Dr. Mahmut Çevik në Kosovë – Inaugurohet rinovimi dhe furnizimi me inventar për Departamentin e Turkologjisë nga TIKA
Është mbajtur ceremonia e inaugurimit të projektit për “Rinovimin dhe Furnizimin me inventar të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke” në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (UP), implementuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, raporton Anadolu.
Në këtë ceremoni, morën pjesë Prorektori i UP-së, Naim Jerliu, zëvendës/kryatari i TIKA-s, Mahmut Çevik, koordinatorja e TIKA-s në Kosovë, Fulya Aslan, ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe përfaqësues të tjerë të UP-së, profesorë dhe studentë.
Në fjalën e tij, nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik tha se nga viti 2005, kur kanë filluar aktivitetet e tyre në Kosovë, kanë realizuar 750 projekte në fusha të ndryshme. Ai tha se është e pamundur të mendohen kombe të pavarura nga kultura, historia dhe gjuhët e tyre.
“Veçanërisht në këtë gjeografi kemi zbatuar 121 projekte për gjuhën, kulturën, turkologjinë dhe gjuhën turke nga Azia Qendrore drejt Ballkanit. Ne kemi investuar rreth 6 milionë euro në këto projekte që theksuam”, tha Çevik.
Ambasadori Angılı tha se Kosova është një shtet shumë i ri ku jetojnë komunitete me rrënjë shumë të thella dhe histori të thellë. Ai konsideroi Departamentin e Turkologjisë si një departament që i shton vlerë Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës si dhe Universitetit të Prishtinës.
“Për shkak se Kosova është gjithashtu një nga qendrat kulturore të Ballkanit, Evropës dhe Botës Turke. Kështu ka qenë në histori dhe jam i sigurt se kështu është sot dhe do të jetë në të ardhmen”, tha ai.
Prorektori i UP-së, Naim Jerliu, në emër të rektorit Arben Hajrullahut ka përshëndetur ceremoninë e hapjes së inaugurimit të projektit për rinovimin dhe furnizimin me inventar në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Turke.
“Ky projekt i cili është implementuar me përkushtim nga TIKA, është një dëshmi e fuqishme e bashkëpunimit të frytshëm që ekziston dhe zhvillohet në vazhdimësi midis Kosovës dhe Türkiyes. Dhe sigurisht, përbën një hap të rëndësishëm në përmirësimin e mëtutjeshëm të kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies për studentët e fakultetit të filologjisë të universitetit tonë”, theksoi Jerliu.
Ai tha se ky projekt është vazhdimësi e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në arsim midis Kosovës dhe Türkiyes.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka theksoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Turke dhe bartjen e drejtë të gjuhës turke tek brezat e ardhshëm.