KHF Çair do t’i zhvillojë dy përballjet evropiane në Shkup, kundër ekipit portugez Colegia de Vaia
Dy përballjet e raundit të tretë të Kupës Evropiane në hendboll, në kategorinë e femrave, më 16 dhe 17 nëntor, në mes Çairit dhe skuadrës portugeze Colegia de Vaia, do të zhvillohen në Shkup.
Kjo është marrëveshje mes dy klubeve, për të evituar harxhimet shtesë për të dy klubet në garat evropiane, ndërsa fituesi i përgjithshëm merr biletën për 1/8 e finales në Kupën Evropiane.
Lajmin e konfirmojnë edhe drejtuesit e skuadrës së Çairit.
“Të dashur mbeshtetës së skuadrës së Çairit, kemi knaqësinë t’ju njoftojmë se me marrëveshje mes dy klubeve, ndeshjet për raundin e tretë të cilat janë vendimtare për kalimin në fazën e 1/8 së finalës së Kupë Evropiane do të zhvillohen në Maqedoni, përkatësisht në qytetin e Shkupit. Çairi për herë të pestë po paraqitet në gara evropiane dhe për herë të dytë po kalon kundërshtar evropian. Skuadra jonë është duke bërë përgatitjet për ndeshjet e EHF European Cup ndaj skuadrës nga shteti i Portugalisë dhe klubi jonë ka synime të qarta. Për të synuar rezultate, njeri ndër faktoret kyç është baza materiale dhe ajo infrastrukturore, përkrahja ndaj klubit tonë në këtë fazë është shumë domëthënëse.
Tashmë ÇAIRI është një klub në mesin e skuadrave më të mira evropiane ku përfaqeson me dinjitet qytetin dhe shtetin e Maqedonisë andaj çdo përkrahje është e mirëseardhur,” thuhet në kumtesën e skuadrës së Çairit.
Kujtojmë se në raundin e dytë, Çairi fitoi bindshëm të dy ndeshjet ndaj skuadrës kampion të Luksemburgut, Kaerjeng-ut.