BE-ja miratoi agjendat e reformave të RMV-së dhe shteteve tjera për Planin e Rritjes
Shtetet e Bashkimit Evropian i kanë miratuar agjendat e reformave për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për përfitim nga paketa e Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurove, raporton Portalb.mk.
Komisioni i IPA-s ka dhënë pëlqimin për agjendat e reformave të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë.
Bosnja dhe Hercegovina është i vetmi vend i cili duhet të presë ende miratimin e agjendës së tij, kjo për shkak se dokumenti i dërguar në BE nga ata nuk ka qenë i kompletuar.
Pritet që më 16 tetor Komisioni Evropian ta miratojë vendimin përfundimtar për zbatimin e pagesave.
Përpara se të bëhen pagesat, shtetet përfituese do të duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë në parlamentet e tyre.
Dy miliardë euro janë pa kthim kurse pjesa tjetër do të jetë kredi e favorshme.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.