Franca ndalon dërgimin e arm’ëve në Izrael/ Macron: Libani nuk mund të bëhet Gaza e re
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje që të ndalohen dërgesat e armëve për Izraelin, që kanë qenë kritike për kryerjen e operacionit hakmarrës të Izraelit në Gaza kundër Hamasit.
“Mendoj se sot prioriteti është që ne të kthehemi të një zgjidhje politike dhe të ndalojmë dërgimin e armëve për luftën në Gazë”, tha Macron.
“Franca nuk po dërgon armë”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se Franca nuk është një ofruese e madhe e armëve për Izraelin dhe vitin e kaluar dërgesat e pajisjeve ushtarake arritën deri në 33 milionë dollarë, sipas raportit vjetor për eksportin e armëve të Ministrisë franceze të Mbrojtjes.
SHBA-ja ndërkaq, i kishte dërguar armë Izraelit vitin e kaluar në vlerë prej 3 miliardë dollarësh, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në shtator, Britania e Madhe njoftoi për pezullimin e eksporteve të armëve për Izraelin, duke u thirrur në “rreziqe reale” se ato armë mund të përdoren në shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Macron përsëriti shqetësimin e tij mbi konfliktin në Gaza që po vazhdon pavarësisht thirrjeve të përsëritura që palët të arrijnë një marrëveshje armëpushimi.
“Mendoj se ne nuk po dëgjohemi. Mendoj se është gabim, përfshirë edhe për sigurinë e Izraelit”, tha ai, duke shtuar se konflikti po çon në “urrejtje”.
Ai gjithashtu foli edhe për përshkallëzimin e dhunës mes Izraelit dhe Hezbollahut duke e cilësuar si “prioritet”.
“Libani nuk mund të bëhet Gaza e re”, tha lideri francez.