Janevska me rastin e Ditës Botërore të Mësuesit: Nuk do ta harojmë premtimin tonë për ta bërë jetën e mësimdhënësve më dinjitoze
Shoqata e Punonjësve Arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut me ndarjen e plaketave për nëntë mësimdhënësit e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm, sot në një ceremoni rasti në Shkup, në praninë e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e shënoi 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesit.
Ministrja Janevska, në fjalimin me rastin e ndarjes së plaketave për mësimdhënësit më të mirë për vitin akademik 2023-2024, tha se Qeveria nuk do t’i harrojë premtimet për standard më dinjitoz dhe kushte pune për mësimdhënësit.
“Sot jemi mbledhur në këtë ngjarje me rastin e një dite të mrekullueshme, një ditë e quajtur Dita Ndërkombëtare e Mësuesit. Kemi ardhur këtu me ftesë të Shoqatës së Punonjësve të Arsimit që përzgjedh mësimdhënësit më të mirë të arsimit në vitin e fundit shkollor. Këtë vit janë nëntë persona të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm, të cilëve Shoqata do t’u shpërndajë plaketa, ndërsa në emrin e tyre jemi këtu unë dhe kryetari i komunës për ta bërë këtë në emër të tyre. Dua të theksoj se është veçanërisht e rëndësishme të jemi të kujdesshëm, të mbajmë dhe të respektojmë mësuesit tanë, sepse ata fillimisht na krijuan të gjithëve, dhe do të vazhdojnë të krijojnë të rinj të tjerë që të bëhen qytetarë seriozë të kësaj shoqërie. Ne si qeveri dhe si ministri kërkojmë gjithnjë e më shumë nga mësuesit, por unë si ministre kompetente dhe Qeveria nuk do ta harrojmë premtimin dhe do t’ua bëjmë jetën më dinjitoze, motivimin për punë më të madhe, që do të thotë do të kujdesemi për gjendjen e tyre financiare”, tha ministrja e Arsimit Janevska.
Lidija Nikollovska Georgievska, kryetare e Shoqatës së mësimdhënësve theksoi se me vite tradicionalisht e organizojnë këtë ngjarje, në bashkëpunim me MASH si Ministri kompetente.
Në ngjarje mori pjesë edhe kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski i cili gjithashtu e theksoi punën e rëndësishme të mësimdhënësve për zhvillimin e shoqërisë.
Dita Botërore e Mësimdhënësve mbahet çdo vit më 5 tetor për të festuar të gjithë mësuesit në mbarë botën. Atë ditë kujtojmë rolin e rëndësishëm të mësimdhënësve dhe profesionistëve të tjerë në sistemin arsimor për rritjen dhe zhvillimin e çdo fëmije dhe e drejta e çdo vajze dhe çdo djali për arsim, pavarësisht se kush janë dhe ku jetojnë në mënyrë formale dhe joformale.