Sllupçan: Për herë të parë një ambasador shqiptar viziton varrezat e dëshmorëve të UÇK-së
Për herë të parë një ambasador shqiptar viziton varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Sllupçan të Maqedonisë së Veriut. Kështu Ambasadori i Shqipërisë në vend, Denion Meidani, së bashku me zv/kreministrin Arben Fetai, kanë realizuar një vizitë historike te varrezat e dëshmorëve të kombit në Sllupçan
“Sot, së bashku me zv/KM Arben Fetai, vizituam varrezat e dëshmorëve të kombit në Sllupçan, duke nderuar ata që dhanë gjithçka për lirinë në vitin 2001. Ish-ushtarët e UÇK-së dhe familjarët e dëshmorëve ndanë me ne histori prekëse që na kujtojnë se kombi shqiptar është i ndërtuar mbi sakrifica të pavdekshme. 🇦🇱
Në fjalët e George Santayana, “Ata që harrojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin.” Këto sakrifica janë një rikujtim i fuqishëm që liria dhe të drejtat tona ndër vite dhe epoka nuk janë dhuruar, por të fituara me gjak e guxim. 🕊️ Ky kujtim na mban të bashkuar dhe na frymëzon të ndërtojmë një të ardhme europiane që nderon këtë trashëgimi të shenjtë”, shkruan ambasadori shqiptar Meidani.
Ndërkohë, zv/kryeministri Fetari thotë mes tjerash se “kjo ishte vizita e parë e një ambasadori shqiptar në këtë vend memorial”.
“Së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, realizuam sot një vizitë historike te varrezat e dëshmorëve të kombit në Sllupçan, për të nderuar heronjtë që u flijuan gjatë luftës së vitit 2001.
Kjo ishte vizita e parë e një ambasadori shqiptar në këtë vend memorial. Aty na mirëpriten ish ushtarë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, të cilët ndanë tregimet e tyre për luftën çlirimtare dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtimit të dëshmorëve për brezat e ardhshëm.
Së bashku me ambasadorin Meidani, vendosëm buqeta me lule te varret e dëshmorëve, duke nderuar me përulësi dhe respekt veprën dhe sakrificën e tyre” – thekson Fetai.