Përfaqësuesja e OKB-së: Su’lmi izraelit në Bejrut, një tjetër përshkallëzim alarmues
Koordinatorja e posaçme e OKB-së për Libanin, Jeanine Hennis-Plasschaert, ngriti shqetësimin lidhur me përshkallëzimin e fundit në rajon pas sulmeve ajrore izraelite në Bejrut, raporton Anadolu.
“Sulmi i kësaj pasdite në një zonë me popullsi të dendur në periferitë jugore të Bejrutit është një tjetër përshkallëzim alarmues”, tha Jeanine Hennis-Plasschaert në X.
Deklarata e saj vjen pas sulmit ajror izraelit në periferinë jugore të Bejrutit, ku u vranë 12 persona dhe u plagosën 66 të tjerë.
“Ne jemi dëshmitarë të një cikli jashtëzakonisht të rrezikshëm dhune me pasoja shkatërruese. Kjo duhet të ndalet tani. Një rrugëdalje diplomatike është ende e mundur”, tha ajo.
Sulmi i sotëm erdhi pasi të martën dhe të mërkurën ndodhën shpërthimet e koordinuara të pajisjeve të komunikimit të përdorura nga grupi libanez Hezbollah në Liban, duke vrarë të paktën 37 persona, përfshirë fëmijë, si dhe duke plagosur më shumë se 3000 të tjerë.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, akuzoi Izraelin për thyerjen e “të gjitha konventave dhe ligjeve” dhe u zotua se “hakmarrja do të vijë”.
Izraeli mbetet në gatishmëri të lartë në pritje të një përgjigjeje nga Hezbollahu.