Prof. Dr. Mehmet Gormez: Çdo i ri mysliman që jeton në Ballkan është një roje shpirtërore e këtyre trojeve
Intervista e Prof. Mehmet Gormez Kryetar i Institutit të Mendimit Islam, që është dhënë për TIMEBALKAN në gjuhën turke.
1. Ditëve të fundit, keni marrë pjesë në konferenca dhe takime të ndryshme në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe më parë keni bërë vizita të tjera në rajon për arsye të ndryshme. Cilat janë përshtypjet tuaja për Ballkanin?
Në historinë e njerëzimit ka mënyra të ndryshme të leximit të rajoneve gjeografike. Disa i përshkruajnë rajonet vetëm përmes maleve, fushave, deteve, lumenjve. Disa të tjerë përmes politikës, shteteve dhe perandorive, madje disa i përshkruajnë përmes rrugëve tregtare. Unë i përshkruaj rajonet më shumë përmes qytetërimeve që kanë ndërtuar ato rajone, përmes vlerave kulturore dhe njerëzore që i kanë dhënë shpirt atyre vendeve. Duke e parë nga kjo perspektivë, unë e shoh Ballkanin si qendrën e gjeografisë së zemrës sonë dhe njëkohësisht çdo mysliman që jeton në këto troje si një mbrojtës të kufirit, një prijës të vijës së parë. Gjithmonë kam qenë dëshmitar se ata gjithmonë e mbajnë gjallë këtë shpirt. Fatkeqësisht, nuk kisha ardhur për dhjetë vjet. Pasi u riktheva, në Kosovë, në Prizren dhe Prishtinë, si dhe në Shkup, pashë shumë zhvillime të bukura. Vërejta se janë krijuar shumë institucione të reja. Më bëri shumë të lumtur dhe krenar të shoh se të rinjtë e këtyre trevave janë më të ndërgjegjshëm krahasuar me shumë rajone të tjera.
2. Myslimanët e Ballkanit kanë kaluar sprova dhe luftëra të mëdha në të kaluarën e afërt. Pas kësaj, ata përpiqen të e jetësojnë dhe ta mbajë të gjallë Islamin si në traditë ashtu edhe në shkolla të ndryshme. Si dikush që vështron nga jashtë, si do ta vlerësonit gjendjen e myslimanëve të Ballkanit?
Jeta fetare bëhet më e gjallë, veçanërisht në gjeografit ku ndodhin takime, ku takohen qytetërime të ndryshme dhe kultura të ndryshme. Për shembull, unë kam krahasuar tre gjeografi më parë. Andaluzinë, Mâverâunnehir (Transoxiana- tokat përtej lumit) – Rajoni i Uralit, gjeografia ku jetojnë Tatarët Vollga dhe Ballkanin. Ballkani gjithashtu ka shumë diversitet dhe dallime brenda vetes. Është pjesë e Evropës Juglindore por edhe pjesë e botës islame. Një në çdo tre myslimanë në botë jeton si pakicë. Edhe pse këtu duken si pakicë për nga numri i tyre, unë kurrë nuk do t’i konsideroja myslimanët e Ballkanit si pakicë, sepse nëse një komunitet ka themeluar një qytet, një qytetërim, një vend, vlera kulturore dhe vlera qytetëruese, në atë vend, ne nuk mund t’i quajmë pakicë edhe nëse numri i tyre ulet. Sigurisht që herë pas here prishja e harmonisë dhe integritetit ndërmjet institucioneve fetare të krijuara për të ofruar shërbime fetare apo edukim fetar sigurisht që është e dëmshme, por nga ana tjetër është një diversitet. Mendoj se do të ishte më e dobishme të vazhdohej ky diversitet duke pasuruar dhe përmirësuar marrëdhëniet. Sepse jeta nuk është një kahëshe. Jeta është e shumëanshme. Një institucion i flet tërësisht mendjes dhe kryen disa punë që i flasin mendjes. Një institucion tjetër i flet zemrës, i bën thirrje shpirtit dhe bën punë të zemrës. Le të themi se një mik angazhohet në politikë me delegacionin e tij. Një mik tjetër bën art. E rëndësishme është që ata të vazhdojnë rrugën e tyre në harmoni, pa qenë rivalë apo kundër njëri-tjetrit . Në këtë aspekt edhe Kurban Bajramin e kam kaluar në Trakinë Perëndimore. Kur shkova në Trakinë Perëndimore shumë vite më parë, numri i njerëzve që do ta bashkonin këtë komunitet dhe do t’u tregonin për bukuritë e Islamit nuk ishin me shume se gishtat e një dore, por kur shkova atje tani, pata kënaqësinë të shihja qindra të rinj të cilët përpiqeshin t’i shërbenin kësaj feje. Në të kaluarën, në veçanti nuk kishte gra. Pashë gjithashtu studente femra që ktheheshin në vendet e tyre si njerëz të arsimuar. Të njëjtën gjë kam parë në Prizren, të njëjtën gjë kam parë në Prishtinë, kam parë Medresenë Alauddin. Kam vizituar Fakultetin e Studimeve Islame, madje kam nënshkruar një protokoll me Fakultetin e Studimeve Islame, për të ndërtuar marrëdhëniet tona shkencore, tani e tutje, mendoj se duhet të vazhdojë kështu duke ruajtur këtë pasuri.
3. Në këtë periudhë kur vizualiteti është rritur aq shumë, duke u fokusuar në Gaza, kemi parë gjenocid live dhe kemi parë vdekjen e foshnjave, si do t’i vlerësonit qëndrimet e gjeografive islame, po ashtu edhe të tërë njerëzimit? Si individ mysliman, çfarë mund të bëjmë kundër brutalitetit në Gaza?
Po, faleminderit shumë për këtë pyetje. Për shkak se unë them: “Nëse një intervistë, një konferencë, një takim bëhet pa diskutuar për Gazën, ajo humb legjitimitetin e saj”. Masakra që po ndodh në Gazë përmban shumë të para në historinë njerëzore, sidomos në historinë e shekullit të fundit. Kjo është e para si për njerëzit e Gazës, ashtu edhe për botën që lufton kundër saj, për myslimanët dhe për njerëzimin në tërësi, si dhe për moralin dhe ligjin e luftës.
Nga këndvështrimi i banorëve të Gazës, e para është se: 2 milionë myslimanë, të ngujuar në një hapësirë prej 40 kilometrash, janë të rrethuar nga toka, deti dhe ajri, dhe janë të bllokuar nga mure të armatosura. Këta njerëz po luftojnë për ekzistencën e tyre, një luftë për heroizëm. Ata e zhvillojnë këtë luftë kundër të gjitha ushtrive të pajisura me teknologji të avancuar, duke përdorur tunele të gërmuar në thellësinë 60-70 metra nën tokë. Nga kjo perspektivë, përvoja e banorëve të Gazës është një përvojë e veçantë.
Nga ana tjetër, fuqitë që sulmojnë Gazën po përballen gjithashtu me përvoja të para. Kjo nuk është një luftë botërore, por është një luftë e botës kundër Gazës; nuk është thjesht lufta e Izraelit kundër Gazës, as vetëm e sionistëve, apo vetëm e Amerikës kundër Gazës. Është një luftë ku pothuajse të gjitha fuqitë e mëdha të botës bashkohen me Izraelin për të luftuar Gazën. Kur shohim këtë konflikt përmes prizmit të Gazës, duket se është një luftë kundër Islamit dhe botës islame, dhe edhe nga kjo perspektivë kemi përvoja të reja.
Nga këndvështrimi i myslimanëve, përjetohen herë të para, sepse 2 miliardë myslimanë në botë kanë vështirësi të ndihmojnë vëllezërit e tyre në Gaza. Myslimanët janë të ndarë në tre grupe: disa prej tyre heshtin dhe janë pothuajse në anën e armikut, disa të tjerë janë në një heshtje tjetër, dhe disa të tjerë luftojnë për të ndihmuar dhe për të mobilizuar botën, siç po përpiqet Turqia. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk ka pasur fuqinë për ta ndaluar këtë gjenocid dhe shtypje.
Nga këndvështrimi i njerëzimit, po ashtu përjetohen herë të para. Është interesante që ndërgjegjja e njerëzimit po zgjohet. Studentët në universitete dhe ata që kanë ndërgjegje të pastër në të gjithë botën janë në një gjendje zgjimi për çështjen e Gazës dhe Palestinës. Edhe në këtë aspekt kemi një përvojë të re.
Sa i përket etikës dhe ligjit të luftës, gjithashtu përjetohen herë të para. Ndoshta të gjitha krimet që shkelin ligjin dhe etikën e luftës janë kryer gjatë këtyre 10 muajve të konfliktit. Termat ‘masakër’ dhe ‘gjenocid’ duken të lehtë për të përshkruar atë që po ndodh. Në spitale bombardohet shërimi, në faltore bombardohet adhurimi, varrezat shkatërrohen dhe trupat e fëmijëve, copëzat e trupave të fëmijëve mblidhen nga rrugët, të gjitha këto ndodhin para syve të gjithë njerëzimit.
Si do të përfundojë kjo situatë? Besoj se kjo e keqe absolute do të përfundojë. Suksesi i kësaj të keqeje të plotë është kundër natyrës së ligjeve hyjnore. Ne kemi vuajtur shumë, humbjet janë të mëdha, por unë besoj se, në fund, kjo e keqe do të marrë fund.
4. Gjenerata e re, për arsye të ndryshme, po i qaset fesë dhe besimit me dyshim dhe një qasje kritike, ashtu siç ndodh edhe me shumë gjëra të tjera. Qëndrimi i ashpër i disa qarqeve ndaj këtyre të rinjve, në fakt, krijon një pengesë që i largon ata. E dimë që Instituti i Mendimit Islam, përmes ligjëratave tuaja të publikuara në YouTube, ka qasje të ndryshme në këtë çështje. Cili duhet të jetë balanca në këtë marrëdhënie komplekse?
Të rinjtë po përballen me sfida shumë të mëdha. Kur krahasoj rininë time me proceset dhe transformimet që po përjeton rinia e sotme, mund të them se ndryshimet që po ndodhin sot brenda një ose dy vjetësh, ne i përjetuam vetëm pas 50 vitesh. Prandaj, dyshimet, pyetjet dhe shoshitjet e tyre i konsideroj krejtësisht të natyrshme. Madje, mendoj se këto dyshime dhe shoshitje do t’i çojnë të rinjtë në një rrugë më të shëndetshme dhe do t’i afrojnë ata më shumë me të vërtetën.
Në ligjëratat e mia kam përmendur shpesh se çdo brez e shpall brezin pasues si një brez të humbur. Gjyshërit tanë me siguri kanë diskutuar për prindërit tanë me shqetësimin “çfarë do të bëhet me këtë rini”. Edhe prindërit tanë kanë bërë të njëjtën gjë për ne. Kur takohemi sot, edhe ne themi të njëjtën gjë për fëmijët tanë: “Çfarë do të bëhet me këta të rinj?” Nëse nuk marrim parasysh këto ndryshime, sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet rinia dhe nëse i fajësojmë pa iu përgjigjur pyetjeve dhe kontestimeve të tyre, atëherë thjesht po ia hedhim fajin tonë atyre.
Prindërit tanë ishin më të suksesshëm në transmetimin e vlerave të tyre tek ne. Ne nuk kemi qenë aq të suksesshëm në transmetimin e vlerave tona tek fëmijët tanë. Kjo ka arsye që lidhen me ne, me kohën në të cilën jetojmë dhe me të rinjtë vetë. Sa më shumë që dështojmë në përcjelljen e vlerave tona tek brezi pasardhës, aq më shumë ia hedhim fajin rinisë, dhe kjo nuk është e drejtë. Prandaj, duke marrë parasysh vështirësitë që po kalon rinia, të rriturit, mësuesit, profesorët, nënat dhe baballarët duhet të ndërmarrin një qasje të re.
Cilat janë këto vështirësi? E para është vështirësia që unë e quaj ‘asgjëja’. Mendoj se problemi më i madh që rrethon rininë e sotme është se ata e kanë të vështirë të gjejnë qëllimin e jetës, urtësinë e krijimit, vlerat që na bëjnë ata që jemi. Duke marrë parasysh këtë, ne duhet të punojmë në studime të reja se si mund të ndihmojmë, si mund ta gjejmë atë qëllim, vlerë dhe kuptim së bashku. Mendoj se sfida e tyre e dytë më e madhe është kënaqësia dhe shpejtësia. Asnjëherë nuk ka pasur një epokë të tillë kënaqësie dhe shpejtësie. Të rinjtë nuk kanë asnjë sekondë kohë të ulen dhe të mendojnë për veten e tyre. Kënaqësia është pranuar si një shkak i drejtë dhe nga të rinjtë arritja e kënaqësisë konsiderohet si arritje e lumturisë. Duke marrë parasysh këtë, duhet të përpiqemi të rishikojmë të gjithë mekanizmat e edukimit njerëzor, sepse të rinjtë gabohen në kuptimin që u japin dy koncepteve; lirinë dhe lumturinë. Ata e shohin lirinë si përtaci dhe lumturinë vetëm si kënaqësi dhe veprimin në përputhje me dëshirat dhe tekat e egos, që të dyja janë kundër tyre. Megjithatë, në fakt, liria nuk është vetëm të fitosh diçka, heqja dorë nga diçka e bën njeriun më të lirë, heqja dorë nga disa gjëra është një liri më e madhe. Të rinjtë këtë përkufizim të lirisë nuk e konsiderojnë ashtu siç e konsiderojnë arritjen e disa gjërave. Po kështu, ne e shohim lumturinë vetëm si arritje të kënaqësisë, ndërsa kënaqësia nuk është lumturi. Në gjuhën e Kuranit, emri i lumturisë është lumturia e pastër. Kjo lumturi nuk ka të bëjë vetëm me plotësimin e kënaqësive të trupit, pasi plotësohen kënaqësitë e trupit, shtohet epshi dhe shtohet dëshira, por kur njeriu plotëson dëshirat e shpirtit, ai bëhet vërtet i lumtur. Një tjetër rrezik që rrethon të rinjtë është dixhitalizimi. Unë shpesh e potencoj se me dixhitalizimin u krijua një qytetërim i ekranit dhe të rinjtë u bënë robër të botës virtuale dhe të dënuar me dominimin e perceptimit vizual. Duke pasur parasysh këtë, ne duhet të krijojmë një dialog të ri, një gjuhë të re, një marrëdhënie të re me të rinjtë. Për këtë arsye, ne duhet të rishqyrtojmë sistemin arsimor të të rinjve. Mendoj se çështja e prindërve, e familjes, e shkollës dhe e xhamisë duhet të rimendohet dhe të trajtohet me një gjuhë të re dhe një metodë të re, duke marrë parasysh ndryshimet dhe transformimet e të rinjve.
5. Në periudhat e kaluara, lidhja ndërmjet fesë dhe jetës ishte e lidhur me metoda të ndryshme si medresetë tradicionale, bisedat fetare dhe vizitat në shtëpitë e hoxhallarëve. Megjithatë, me zhvillimet teknologjike të reja, këto metoda janë kaluar në mjedisin digjital. Por, në këtë mjedis digjital, ndonjëherë mungon ajo ngrohtësi dhe sinqeritet që përjetuan dhe transmetuan paraardhësit tanë. Në këtë periudhë ku teknologjitë e komunikimit të reja theksojnë individualizmin dhe egoizmin, si mund ta ushqejmë shpirtin tonë?
Ndërmjet lidhjes “ekran-ekran” dhe lidhjes “shpirt-shpirt” ka një dallim shumë të madh. Të flasësh me një person përmes një ekrani, nga një distancë e madhe, është shumë ndryshe nga të shikosh tjetrin në sy, të jesh ballë për ballë, të bashkosh shpirtin tënd me shpirtin e tij dhe zemrën tënde me zemrën e tij. Në të vërtetë, kjo botë virtuale na bën të perceptojmë gjithçka përmes një pasqyre. Siç e përmendët edhe ju në këtë bisedë, në miqësi dhe në shoqëri, gjërat më të rëndësishme si sinqeriteti, vërtetësia, buzëqeshja që ka një dimension mëshirë dhe prekja e zemrës me dhembshuri, janë lënë pas dore, dhe ne përpiqemi të krijojmë lidhje përmes një bote virtuale.
Metoda e Profetëve ishte më shumë metodë e shoqërimit se sa mësues-nxënës. Për shembull, Pejgamberi Isa a.s kishte Havarijunët (dishepujt), Profeti (a.s) kishte Sahabet (shokë). Shokët u rritën dhe u zhvilluan përmes bashkëbisedimeve, dhe në qendër të këtyre bashkëbisedimeve ishte lidhja e thellë ndërmjet zemrave, dashuria dhe ngrohtësia. Në kohën e sotme, dominimi i botës virtuale na ka privuar nga kjo ndjenjë. Sepse ka udhëzim, predikim dhe urtësi në fe. Nëse do të ketë ndonjë debat, ai duhet të jetë debati më i mirë (xhidal-i ahsen), por ajo që ndodh në botën digitale është ndryshe. Aty ka reklamë, propagandë, demonstrim, dukje. Nuk mund të përfshini këto koncepte në një bisedë dhe muhabet; nuk mund të thoni: “Le të bëjmë një muhabet që të jetë një reklamë.” Kur hyn reklama, aty nuk ka bisedë; kur shfaqja hyn, nuk ka sinqeritet. Feja jonë e dukjen e quan hipokrizi, madje hipokrizia e adhurimit nga Zoti i Madhëruar konsiderohet politeizëm, apo forma më e lartë e politeizmit.
Prandaj, ndoshta nuk po them që duhet të heqim plotësisht dorë nga bota digjitale, por për të pasur kontroll mbi të, nevojiten dy filtra: njëri është vullneti, tjetri është turpi (haja). Për të mos u dorëzuar në këtë botë dixhitale, çdo i ri ka dy armë të mëdha, njëra është vullneti, duhet ta parandalojmë që të na dominojë me vullnet të fortë, atëherë do të na marrë lirinë tonë të vërtetë. E dyta është turpi, sepse turpi nuk është një ndjenjë e thjeshtë turpërimi, turpi është jeta që na bën të ndihemi të gjallë. Haja (turpi) dhe jeta vijnë nga e njëjta rrënjë. Të armatosur me këto armë, ne duhet të vazhdojmë sërish rrugën tonë duke shtuar takimet ballë për ballë dhe duke rritur sinqeritetin, gjuhën e zemrës dhe sinqeritetin në takimet në këto takime.
6. Për fund, a ka ndonjë gjë që dëshironi të shtoni?
Çdo i ri mysliman që jeton në Ballkan është një murabit. Çfarë do të thotë murabit? Do të thotë një roje që qëndron në kufi. Ballkani është ribati i gjeografisë sonë shpirtërore. Kur përmendet ribati, kur përmenden kufijtë, mendja shkon tek rojet e armatosura, te ushtarët – por nuk e kam fjalën për këtë. Ne duhet të jemi roje nga dy aspekte: njëra është roja e mendimit dhe tjetra është roja e dashurisë dhe e zemrës. Prandaj, mendoj se duhet të qëndrojmë si roje në këto kufij, duke fuqizuar ekzistencën tonë përmes mendimeve dhe ideve tona. Njëkohësisht, duhet të qëndrojmë roje të dashurisë duke pasuruar zemrën dhe shpirtin tonë në këto kufij.