Shkëndija e Haraçinës bën surprizën, eliminon Rabotniçkin nga Kupa
Pasditën e kësaj të mërkure janë zhvilluar ndeshjet e para të edicionit të ri të Kupës së Maqedonisë së Veriut, ku favoritët u kualifikuan më tej, teksa surprizën e bëri Shkëndija e Haraçinës. Këta të fundit eliminuan nga Kupa, Rabotniçkin, pasi triumfuan me rezultat 2:0 pranë publikut të tyre në ndeshjen e luajtur në Hasanbeg të Shkupit. Haraçinasit shënuan nga një gol në secilën pjesë, ku menaxhuan mirë lojën dhe në fund morën kualifikimin për tej.
Skuadra e Shkupit mori fitore të madhe kundër Xhepçishtit, duke triumfuar me shifra të thella 0:8, ndërsa Shkëndija e Tetovës mundi Jeni Malen me rezultat 0:5. Fitore me shifra të mëdha mori edhe Struga Trim Lum që mposhti Sloga Vinicën me shifra 6:1.
Besa e Dobërdollit arriti fitore dhe kualifikim ndaj Ohrid Lihnidos me rezultat 5:1. Arsimi Çegranit gjithashtu mori biletën për në raundin e dytë të Kupës, pasi eliminoi Kozhufin me shifra 2:1. Biletë për vazhdimin e garave në këtë kompeticion siguruan edhe Brera Strumica, Vardari, Bregallnica, Pelisteri e Detoniti.
Ndërkohë tre ndeshjet tjera si Bashkimi – Voska Sport, Bellasica – Makedonija Gjorçe Petrov dhe Pobeda – Gostivari do të zhvillohen me 2 tetor nga ora 14:00.