Prof. Dr. Mehmet Görmez viziton OKH Merhamet në Tetovë
Dje, në lokalet e OKH Merhamet në Tetovë, i ftuar ishte Prof. Dr. Mehmet Görmez, ish-Kryetar i Dijanetit të Republikës së Turqisë, njëherit edhe themelues dhe kryetar i Qendrës së Mendimit Islam (İslam Düşünce Enstitüsü) me qendër në Ankara.
Në prezencë të një numri të konsiderueshëm hoxhallarësh nga të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut, u realizua edhe një ligjeratë nga profesori dhe mendimtari bashkëkohor, ku shpalosi ide frytëdhënëse, koncepte të të kuptuarit origjinal të fesë islame dhe zgjidhjet relevante për t’u ballafaquar me sfidat e kohës.
Mes tjerash Prof. Dr. Mehmet Görmez nënvizoi edhe rolin e fesë në lehtësimin e jetës së njerëzve dhe shoqërive bashkëkohore.
Muslimani bashkëkohor duhet te jetë ndjekës i dijes, urtësisë, mirësisë dhe të jetë në shërbim të interesit publik. Shoqëria sot posedon shumë informacione (hiperinformacione) por shumë pak dije e të kuptuar real të fenomeneve, pra shumë institucione edukativo-arsimore, ndërsa shumë pak dijetarë me ndikim”, theksoi prof. Görmez.
Prof. Dr. Mehmet Görmez, është studiues i mirëfilltë, ligjërues dhe autor i shumë librave. Dy prej tyre janë të përkthyera dhe botuara në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Logos-A”, që janë:
1. “Metodologjia hermeneutike e Hadithit dhe Sunetit” – botuar në vitin 2014, dhe
2. ”Udhëzues për të kuptuar Sunetin dhe Hadithin”, botuar në vitin 2022. Ndërsa në botim e sipër është edhe libri: ”Njeriu në Kërkim të Kuptimit dhe Islami”.