(VIDEO) Tejkalohet “pengesa e LSDM-së”, Komisioni miraton nisjen e marrjes së kredisë hungareze

(VIDEO) Tejkalohet “pengesa e LSDM-së”, Komisioni miraton nisjen e marrjes së kredisë hungareze

Projektligji për huamarrjen prej 500 milionë eurosh të vendit nga Banka Hungareze e Eksport-Importit kaloi filtrin në Komisionin parlamentar të Financimit dhe Buxhetit. Pas seancës së sotme të Komisionit, ligji i propozuar do të kalojë për procedurë të mëtejshme në Kuvend. Deputeti Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE e drejtoi seancën e Komisionit pasi kryetarja, deputetja nga radhët e LSDM-së Sanja Llukarevska nuk e thirri seancën në afatin e caktuar 24-orësh. Për këtë, seancën e thirri kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe caktoi deputetin Stojanoski të udhëheqë atë.

Deputetët e LSDM-së, të cilët dje kërkuan që qeveria ta tërheqë atë nga forma e shkurtuar dhe ta dorëzojë projektligjin në procedurë të rregullt, nuk ishin të pranishëm në seancë dhe nuk morën pjesë në diskutimin e komisionit.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski nga foltorja e Kuvendit pyeti se pse deputetët e LSDM-së nuk kanë dorëzuar ndonjë amendament dhe nuk kanë marrë pjesë në diskutimin e komisionit, përkundër faktit se kanë pasur kundërshtime për miratimin e ligjit të huamarrjes.

BOJAN STOJANOVSKI, DEPUTET I VMRO DPMNE-SË

Pse nuk erdhën?” Rregullorja i lejon kryetarit të këtij komisioni, i cili në këtë rast është nga radhët e opozitës, të përcaktojë dinamikën e seancës. Pse nuk kemi punuar 24 orë në ato tri ditë që janë votuar sipas Rregullores, të cilën e kanë votuar me konsensus, që të diskutojmë çdo amendament. Pse nuk kanë paraqitur mijëra amendamente, pse nuk i kemi shqyrtuar një nga një, që publiku të shohë nëse dikush kishte apo jo qëllime korruptive. Ata gërvishtën pendët dhe tani janë zhdukur”.

Në këtë kuptim, ai përsëriti se kryetarët e komunave të udhëhequra nga LSDM-ja, ndër të tjera, kanë aplikuar në thirrjen për projekte për komunat, të cilat do të financohen nga kredia nga Hungaria.

Zgjidhjen e propozuar ligjore para deputetëve e sqaroi zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski. Ai tha se kredia do të tërhiqet me nga një këst dhe se afati për shlyerjen e saj është 15 vjet, duke përfshirë një periudhë mospagimi prej tre vjetësh.

Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe lidhur me këtë kredi dje tha se ky ligji i propozuar është vendim i paprecedentë. LSDM vazhdimisht ka kërkuar që ky ligj të jetë i hapur dhe të miratohet në mënyrë normale.

Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me këtë dje tha se çmimi që paguajmë për këtë gjysmë miliardi është 0.1 % për kredinë, ndërsa 0.04 % është për shërbimet ligjore. Ai tha se qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në periudhën kur ka marrë hua përmes emetimit të boneve shtetërore në tregun ndërkombëtar, ka paguar provizion që varion nga 12 deri në 20 herë më shumë se sa paguajmë tani si shërbime avokatie për këto 500 milionë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING