(VIDEO) “Branitellat” nuk arrijnë të kalojnë në Kuvend

(VIDEO) “Branitellat” nuk arrijnë të kalojnë në Kuvend

Ligji i “Branitellave” ose pjesëtarëve e forcave të sigurisë u stopua në Kuvend. Ky ligj i cili të mërkurën hyri në Kuvend, sot u bllokua në Komisionin për Politikë Sociale. Ligji nuk do të vazhdojë procedurën deri në miratimin e plotë, pasi nuk ka marrë dritë jeshile nga Komisioni. Deputeti i koalicionit VLEN Rijad Shaqiri fajëson BDI-në se si parti që është formuar siç thotë nga gjaku i dëshmorëve dhe është ngritur në maksimumin e karrierës politike nga ish ushtarët e UÇK-së, i ka harruar ato dhe gjatë qeverisjes 20 vjeçare nuk ka formuar ligj për pjesëtarët e UÇK-së.

RIJAD SHAQIRI, DEPUTET I KOALICIONIT VLEN

“Realisht BDI ka qenë pjesë e pushetit 23 vjet. Në asnjë moment dhe në asnjë formë të rrugës që të propozon një ligj ish pjesëtarët e UÇK-së. Unë nuk dua të hedh akuza mbi ta, por dua ta përshkruaj një realitet. Realisht BDI ka funksionuar dhe është formuar falë gjakut të dëshmorëve dhe ish ushtarëve të UÇK-së dhe t’i lësh në harresë njerëzit të cilët të kanë ngritur në maksimumin e karrierës politike dhe të bëjnë një kthesë hisotike për gjithë shqiptarët e  RMV-së, besoj se është thjeshtë një mëkat i madh. …A do ta votoni ju këtë ligj? Asnjëherë”.

Ndërsa, deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti kërkoi nga deputetët e VLEN-it, të japin sqarim se përse dje krijuan kourum që ky ligj të bëhet pjesë e rendit të ditës.

BLERIM BEXHETI, DEPUTET I FRONTIT EVROPIAN

“Deputetët e koalicionti VLEN duhet të japin një shpjegim. Kush i detyroi? Çka është arsyeja që u detyruan, pas largimit nga salla e Kuvendit, në mënyrë demonstrative të kthehen deputetët e Alternativës dhe Lëvizjes Demokratike që të bëjnë korrum dhe të bëhet pjesë e rendit të ditës… A do ta mbështesni këtë ligj?…Normalisht që jo dhe do të mundohemi me të gjitha format tona demokratike që të jemi pjesë e këtij procesi që mos të miratohet ky ligj”.

Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski e bëri të qartë se ai është në anën e pjesëtarëve të forcave të sigurisë duke thënë se “branitellat” e kanë mbështetjen e tij.

Hristijan Mickoski, kryeministër

“’Branitellat’ kanë dhe do ta kenë mbështetjen time, pamëdyshje. Ky ligj është dorëzuar nga deputetja Slavjanka Petrovska, gjegjësisht nga LSDM-ja, dhe ajo që është interesante – kur u votua nevoja e rendit të ditës, LSDM e braktisi seancën. Pse e them këtë, sepse LSDM-ja nuk e dorëzon ligjin sepse u mendojnë të mirën ‘branitellave’, por për të krijuar një situatë të këtillë. Për të krijuar sërish tensione ndëretnike”.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe hedh poshtë akuzat se me ligjin për “branitellat” po tentohet nxitje e tensioneve ndëretnike. Ai tha se LSDM-ja është e gatshme që të diskutojë me të gjitha palët në Kuvend me qëllim arsyetimin e këtij ligji.

Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së

“Ky ligj është me qëllim që t’i dilet në ndihmë nevojave reale të qytetarëve edhe të personave që kanë invaliditet, që kanë mbijetuar por edhe familjeve që kanë anëtarë të vdekur. Kështu që vlerësoj se gjithçka që mund të bëjmë në interes të  qytetarëve ne e bëjmë dhe do ta bëjmë edhe më tej. Dhe këtu aspak nuk ka asnjë dimension të ndonjë ndarjeje etnike ose nxitje të tensioneve ndëretnike”.

Në seancën e djeshme të Kuvendit u miratua nevoja për miratimin e ligjit që rregullon të drejtat e “branitellave”. Ky propozim i deputetës së LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, u mbështet nga LSDM-ja opozitare dhe VMRO-DPMNE që është në pushtet.  Ligji në fjalë parasheh rritje të vlerës së kompensimit në bazë të shkallës së invaliditetit nga 1.200 euro, në 82 mijë euro nëse shkalla e invaliditetit është 100%. Ky është kompensim i njëhershëm. Me këtë ligj përfshihen forcat e sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024, ashtu që vlera e ndihmës pritet të jetë nga 1.2 milionë denarë për personat me 20 % invaliditet, deri 5 milionë denarë për personat me 100 % invaliditet ushtarak. Emine Ismaili  Luzha /SHENJA/

MARKETING