(VIDEO) I paguhet borxhi transportuesve privat, do të ketë autobusë
Nga dita e sotme kanë filluar të funksionojnë autobusët privat pasi që kanë arritur marrëveshje me ndërmarjen e transportit publik. Transportuesi Oliver Petrushevski tha se është arritur marrëveshje me NTP Shkup dhe se sot janë paguar 80% nga borxhi i përgjithshëm, gjegjësisht 40 milionë denarë.
OLIVER PETRUSHEVSKI, TRANSPORTUES PRIVAT
“Ne do t’i kthehemi linjave tani. Dy pakot që kanë bërë vetëm një rrugë mëngjesin e sotëm, tashmë po aktivizohen nga garazhet që të fillojnë të vozisin dhe t’i shërbejnë plotësisht qytetarëve”.
Petrushevski gjithashtu theksoi se tashmë ka disa diskutime për çmimin e kilometrit dhe tha se presin që në seancën e ardhshme të parë të Këshillit të Qytetit të Shkupit kjo të vihet në rend dite.
OLIVER PETRUSHEVSKI, TRANSPORTUES PRIVAT
“Presim që në seancën e parë të Qytetit të Shkupit të vihet në rend dite. Këshilltarët e qytetit të Shkupit do të vendosin nëse do t’i pranojnë kërkesat tona që kilometri të jetë fitimprurës, të mund të renovohet parku i autobusëve në të ardhmen dhe t’i paguajmë shoferëve një pagë më të mirë që të mos na ikin”.
I pyetur nëse protesta ishte rezultat i trazirave politike në pushtetin e qytetit, Petrushevski tha se ata nuk janë politik në asnjë mënyrë dhe se janë vetëm në kërkim të parave të tyre.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/