Macron i shiti Serbisë 12 avionë luftarakë dhe kritikoi Kosovën, Kurti: Francën e konsiderojmë vend mik
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron “se Kosova është duke bërë lëvizje të njëanshme”, ka thënë se si qeveri janë duke vendosur sundim të ligjit e rendit publik, si dhe duke siguruar paqe e siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime.
Ai ka thënë se në këtë aspekt duan bashkëpunim të ngushtë edhe nga ndërkombëtarët duke përfshirë edhe Francën, për të cilën ai tha se e konsideron vend mik, aleat e partnere shumë të rëndësishme.
“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallime. Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu natyrisht edhe Francën të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat, e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO”, tha Kurti.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten gjatë një vizite në Beograd se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Macron e nisi një vizitë dyditore në Beograd të enjten, ku Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nënshkroi marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë Rafale.