(VIDEO) Rrugët vazhdojnë të jenë me mbeturina, ndërsa qeveritarët hedhin akuza ndaj njëri tjetrit

(VIDEO) Rrugët vazhdojnë të jenë me mbeturina, ndërsa qeveritarët hedhin akuza ndaj njëri tjetrit

Për mbeturinat në rrugët e Shkupit ka shumë kritika, propozohen edhe rrugëdalje, por ende nuk sigurohet zgjidhje. Ky problem po vazhdon për një kohë të gjatë. E për këtë gjendje është kërkuar edhe përgjegjësi nga kryetarja e Qytetit, Danela Arsovska, duke përmendur heqjen e kompetencave për ndërmarrjet e pastrimit dhe të transportit publik. Mirëpo pas, është rënë dakord që të gjendet një zgjidhje së bashku me këshilltarët e qytetit të Shkupit.

Më 22 gusht 2024, është mbajtur seancë mes kryetarit të Këshillit të Qytetit të Shkupit, Trajko Sllaveski dhe kryetares së qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, për të arritur një marrëveshje në lidhje me këtë çështje. E kjo marrëveshje parashikon që deri në fund të muajit gusht këshilltarët e Shkupit do t’i votojnë programet e kryetares, Danella Arsovska, me të cilat do të punësohen 120 punëtorë të rinj në Higjienës Komunale. E, seanca e radhës do të mbahet më 29 gusht, ku do të dihet nëse do të nisë normalizimi i gjendjes së higjienës.

Zhytja e rrugëve në mbeturina ka bërë që qytetarët e Shkupit të përballohen edhe me erën e keqe e cila ndikon edhe në shëndetin e tyre, ku më herët qytetarët për televisionin Shenja i kanë shprehur ankesat e tyre duke thënë se era dhe vonesa e mbledhjes së mbeturinave është një problem kryesor në qytet. Për vonesen e mbledhjes së mbeturinave, më 10 korrik 2024, kryetari i Bashkësisë së Vetëqeverisjes Lokale, Orçe Gjorgjievski, bëri të ditur se ndaj Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” është paraqitur kallëzim kundërvajtës në vlerë prej 1.500 euro për shkak të grumbullimit jo në kohë dhe të parregullt të mbeturinave në Komunë. Pas kësaj, Orçe Gjorgjievski, më 14 gusht 2024, bëri të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme po vazhdojnë të punojnë për përgatitjen e Ligjit për Polici Komunale, ku ky shërbim është paraparë në programin e Qeverisë 2020-2024. Sipas programit të Qeverisë, policia komunale duhej t’i plotësonte shërbimet e inspektimit dhe eko patrullave për ta përforcuar kontrollin ndaj të gjithë atyre që e ndotin mjedisin jetësor.  Deri më tani nuk është gati as ligji që do të rregullonte të drejtat dhe detyrimet e këtij shërbimi të ri dhe versioni fillestar i ligjit ka ngecur në procedura administrative dhe përcjellje të pafundme të përgjegjësive, e nga kjo konstatohet se ky premtim është i parealizuar.

Merxhane Iseni /SHENJA/

MARKETING