Kurti i kërkon Serbisë t’i kthehet marrëveshjeve: Kosova është e gatshme t’i zbatojë ato
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar se nuk mund të ketë një plan B për dialogun përderisa plani A nuk po respektohet.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti tha se Serbia duhet t’i përmbahet marrëveshjeve për të avancuar procesin e dialogut.
“Nuk mund të kemi plan B nëse nuk respektohet plani A, dhe nëse nuk ka vullnet të mirë dhe mirëbesim të palëve. Është e vërtetë që janë bërë një vit e gjysmë që kur e bëmë marrëveshjen në Bruksel, marrëveshjen bazike, të cilës më pas iu bashkëngjit edhe aneksi i zbatimit nga Ohri,” tha Kurti.
“Në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, në një letër publike dhe zyrtare, njoftoi tërheqjen e Serbisë nga marrëveshja bazike e arritur në Bruksel. Serbia duhet të kthehet te marrëveshja në mënyrë që ta zbatojmë atë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, janë edhe 39 marrëveshje të tjera që pararendësit e mi i kanë bërë në Bruksel, dhe unë jam shumë i interesuar, përveçse i gatshëm, që t’i trajtojë ato me përpikmëri dhe përkushtim,” shtoi Kurti.
Kurti ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike që nis sot në Çikago, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.