(VIDEO) VLEN akuzon BDI-në pse hesht për amendamentin, VMRO nuk ia pranon

(VIDEO) VLEN akuzon BDI-në pse hesht për amendamentin, VMRO nuk ia pranon

BDI këmbëndul në veting ndërkombëtar ndërsa VLEN vlerëson se përgjegjësia gjyqësore për korrupsion të kryer politik nuk mund të jetë një problem ndërkombëtar.  Sipas tyre kjo është një detyrë e brendshme për sistemin shtetëror..

 VLEN

“A ekziston një veting ndërkombëtar më i besueshëm për një politikan sesa lista e zezë e SHBA-së? Të flasësh për veting ndërkombëtar me Ramiz Merkon e me  Menduh Thaçin është nënvlerësim i pabesë ndaj shqiptarëve. VLEN propozon një zgjidhje sistemore si një mekanizëm kushtetues që do të mundësojë përgjegjësi penale për veprat e kryera dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Vetingu është një kontroll etik dhe moral që mund të parandalojë angazhimin në politikë”.

Për këtë arsye, thonë ata, doktorët për krim të BDI-së heshtin 48 orë për amendamentin kushtetues të VLEN-it për parandalimin e vjetërsimit të ndjekjes penale për korrupsion politik.

Amendamenti kushtetues i VLEN-it nuk gjen mbështetje as tek partneri i tyre qeverisës, VMRO-DPMNE.  Për VMRO-DPMNE-në, korniza ekzistuese ligjore në Maqedoni është adekuate për t’u marrë me korrupsionin.

 BOJAN STOJANOVSKI, DEPUTET I VMRO-SË    

“Qëndrimi ynë është se legjislacioni aktual, i kombinuar me një kontroll gjithëpërfshirës të bazës së të dhënave, na lejon të luftojmë në mënyrë efektive korrupsionin. Çështja kryesore është mungesa e vullnetit politik për zbardhjen e këtyre rasteve. Ata që kanë kryer shkelje duhet të presin një shqyrtim të plotë dhe llogaridhënie. Është e rëndësishme që ata të kuptojnë se drejtësia do të mbizotërojë në të ardhmen e afërt. Së shpejti do të fillojnë hetimet për rastet e korrupsionit”.

Ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e saj për reagimin e fortë ndaj kërkesës për një veting të monitoruar ndërkombëtarisht.

BDI

“A është kjo frikë e dukshme e lidhur ngushtë me veprimtarinë kriminale të oligarkëve të mafias urbane në komuna, duke i bërë oligarkët më të pasur në mënyrë të paligjshme në këtë vend.  Ndërtimet ilegale jo vetëm që kanë ndihmuar në krijimin e pasurive të jashtëligjshme për ta, por gjithashtu kanë sjellë një ngushtim të rëndë të hapësirës së jetesës për qytetarët. Koha për të dhënë fund këtij krimi urban është tani. Koha për drejtësi është tani, përmes një vetingu të monitoruar ndërkombëtarisht”.

Sipas BDI-së, koha për veting ndërkombëtar duhet të jetë gjithëpërfshirëse, pa përjashtuar asnjë. VLEN e propozoi amendamentin kushtetues në përgjigje të kërkesës së BDI-së për verifikimin ndërkombëtar të të gjithë zyrtarëve në 30 vitet e fundit. /SHENJA/

 

MARKETING