BDI: Veting ndërkombëtar për drejtësi joselektive, VLEN: BDI dëshiron t’i hedh hi syve të opinionit

BDI: Veting ndërkombëtar për drejtësi joselektive, VLEN: BDI dëshiron t’i hedh hi syve të opinionit

Ashtu siç nisi java, ashtu edhe do të përfundojë, me akuza të shumta ndërmjet partive politike në vend, ku më të theksuara janë përplaset mes BDI-së opozitare dhe VMRO-DPMNE-së në pushtet. Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se, përpjekjet për vendosjen e drejtësisë joselektive kanë dështuar edhe sot e kësaj dite. Të gjitha ndërhyrjet politike sipas BDI-së, kanë slljellë  besimin në gjyqësor deri në 2% për shkak të presionit partiak në të gjitha vitet e pas pavarësisë, nga partitë politike maqedonase, i cili  siç thonë  nga kjo parti, vazhdon edhe sot me qëllim të vendosjes së drejtësisë selektive sipas agjendës së partisë, megjithatë,  ata vazhdojnë të këmbëngulin  që të vendoset veting i monitoruar nga ndërkombëtarët.

BASHKIMI DEMORAKTIK PËR INTEGRIM

“Ndaj, për të gjitha dështimet dhe mosbesimin, është koha që të vendoset një veting i monitoruar ndërkombëtarisht për të gjithë politikanët, gjyqtarët, prokurorët, oligarkët, por edhe për privatizimin dhe tranzicionin në të 32 vitet e pavarësisë. U bëjmë thirrje partive politike të kapërcejnë veten, të ndalojnë gjuetinë e shtrigave dhe mashtrimin e publikut për defokus politik dhe së bashku të miratojmë ligjin për një verifikim të monitoruar ndërkombëtarisht të të gjitha akuzave që nga pavarësia e deri më sot”.

Ndërkaq, nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, theksojnë se  është lexuar skenari i BDI-së. Nga partia e Mickosit  deklarojnë se BDI  duhet të japë përgjigje për të gjithë tenderat me hije, për shortin, për nënkontraktorët e rrugëve, për Soravinë dhe  për borxhin e shlyer të djalit të Musa Xhaferit.

VMRO-DPMNE

“Nëse BDI dhe LSD do të ishin të ndershëm, nuk do ta ndryshonin Kodin Penal përballë ndryshimit të pushtetit dhe do të amnistonin veten për një numër të madh krimesh. Është e qartë se si BDI ashtu edhe LSD janë të vetëdijshëm për atë që kanë bërë, kështu që të vetmen mundësi shpëtimi e shohin në presionin politik dhe tezat e sajuara për aranzhim politik”.

Ndërkohë, në të njëjtën vijë qëndron edhe koalicioni VLEN.  Duke i reaguar BDI-së, zëdhënësi i VLEN-it, Fari Hiseni, tha se vetingun partia e Ali Ahmetit, ka mundur ta bëjë për gjatë 22 vite sa kanë qëndruar në pushtet.

FARI HISENI, ZËDHËNËS I VLEN-IT

“Ne jemi një gjeneratë politikanësh që nuk fjalosim kot, por kalojmë në veprime konkrete. Nëse BDI-ja me të vërtetë do të kishte dëshiruar të luftonte korrupsionin politik, ajo ka pasur plot 22 vite pushtet për të ndërmarrë hapa konkretë. Përkundrazi, kjo udhëheqje e inkriminuar e BDI-së inicoi ndryshime të turpshme në Kodin Penal për të amnistuar raste të shumta të korrupsionit politik”.

Hiseni tha se qëllimi i VLEN-it është të ndërtojnë një mekanizëm kushtetues që do t’i adresojë të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe lokal, të cilët kanë përfituar padrejtësisht përmes abuzimeve me detyrën e tyre zyrtare, dhe shtoi se politika nuk duhet të jetë më biznesi më fitimprurës.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

 

 

MARKETING