(VIDEO) RMV fajëson presidenten Osmani, presidenca e Kosovës akuzon RMV-në
Ekipi i inspektorëve të Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC), i udhëhequr nga drejtori Dragi Stojanoski, ka rishikuar provat dhe ka bërë një kontroll të jashtëzakonshëm në TAV Maqedoni, lidhur me ngjarjen fatkeqe në të cilën ishte përfshirë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
AAC njofton se gjatë inspektimit fillestar është konstatuar se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollet e sigurisë, në përputhje me përgjegjësitë e tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe kanë respektuar rregullat e vendosura sipas rregulloreve ndërkombëtare të zbatuara, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedura edhe nën presionin e personave që shoqëronin pasagjerin.
AAC
“Nëse zyrtarët në TAV Maqedoni do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me sanksione serioze nga Agjencia e Aviacionit Civil si organ përgjegjës për rregullimin e tyre. Nëse dikush dyshon në besueshmërinë tonë, atëherë le ta aplikojnë të njëjtën praktikë në një nga aeroportet ndërkombëtare evropiane, në mënyrë që të jenë të sigurt për zbatimin e rregullave”.
Ndërkaq, Zyra e Presidencës së Kosovës ka thënë se nuk ka nevojë të provojnë pasi kanë përvoja të mjaftueshme të udhëtimit. Presidenca rithekson se RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare dhe është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare.
ZYRA E PRESIDENCËS SË KOSOVËS
”Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit”.
Ata sqarojnë se Presidentja nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit dhe e ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë.
/SHENJA/