Kremlini: Dërgimi i avionëve F-16 në Ukrainë nuk do ta ndryshojë situatën në fushën e betejës

Kremlini: Dërgimi i avionëve F-16 në Ukrainë nuk do ta ndryshojë situatën në fushën e betejës

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se dërgimi i mundshëm i avionëve luftarak F-16 në Ukrainë nuk do të shërbejë si “ilaç” për forcat e armatosura ukrainase, duke pohuar se këto avionë do të shkatërrohen dhe nuk do të ndryshojnë ndjeshëm rrjedhën e konfliktit, raporton Anadolu.

“Këto avionë do të arrijnë, por numri i tyre gradualisht do të ulet. Ata do të rrëzohen dhe shkatërrohen. Natyrisht, këto furnizime nuk do të ndikojnë ndjeshëm në dinamikën e ngjarjeve në front”, u tha Peskov gazetarëve gjatë një konference për media në Moskë.

I pyetur për shpërblimet për personelin ushtarak rus që rrëzojnë avionët F-16, Peskov përmendi njoftimet e mëparshme.

Më 9 qershor, Sergey Shmotyev, kreu i kompanisë ‘Fores’, njoftoi një shpërblim prej 15 milionë rublash (afër 169 mijë dollarë) për rrëzimin e avionit të parë luftarak F-16 me të cilin vendet perëndimore planifikojnë ta furnizojnë Ukrainën.

Mbrëmë vonë, ministri lituanez i Punëve të Jashtme, Gabrielius Landsbergis, në një postim në platformën sociale X tha se avionët F-16 janë në Ukrainë, duke theksuar se “një tjetër gjë e pamundur u bë plotësisht e mundur”.

MARKETING