Situatë alarmante në Shëngjin, moment i frikshëm kur zjarrfikësit bllokohen në mes të flakëve

Situatë alarmante në Shëngjin, moment i frikshëm kur zjarrfikësit bllokohen në mes të flakëve

Shëngjini është përfshirë nga flakët në disa zona, duke krijuar një situatë alarmante për banorët dhe turistët.

Një video e publikuar tregon qartë rrezikun me të cilin po përballen zjarrfikësit, të cilët kanë qenë në një betejë të vazhdueshme për katër ditë radhazi, pa parë ende dritë në fund të tunelit, përkundrazi situata po përkeqësohet.

Në pamjet e kapura, zjarrfikësit shihen duke u afruar shumë pranë një zone me shkurre, të cilat marrin flakë brenda pak sekondash me një shpejtësi të frikshme, duke vënë kështu në rrezik jetën e tyre.

Për shkak të flakëve, qindra turistë janë evakuuar nga zona, ndërsa dy avionë Canadair të mbrojtjes civile evropiane janë dërguar për të ndihmuar në operacionet e shuarjes së zjarrit.

Ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i shoqëruar nga ministri Manja, ka mbërritur në Shëngjin për të monitoruar situatën.

Ai theksoi se po punohet për të siguruar ndihma nga vende të tjera dhe se dy avionët Canadair janë në dispozicion për të mbrojtur vendin nga flakët.

Balla informoi se ministri i Mbrojtjes është në kontakt me KFOR-in për të sjellë helikopterët në këtë operacion të vështirë.

Ai theksoi se zjarri po favorizohet nga era e fortë dhe se situata më e vështirë është drejt qytetit.

“Janë 350 forca zjarrfikëse në Shëngjin dhe mbi 330 forca nga Drejtoria Vendore e Policisë së Lezhës. Përmasat e zjarrit janë shumë të mëdha. Na ka ardhur në ndihmë edhe qeveria italiane dhe presim forca mbështetëse nga mekanizmi evropian, kryesisht nga ajri. Nëse ndalet era, situata do të ndryshojë për mirë”, tha Balla.

Situata vazhdon të jetë kritike, dhe përpjekjet për të shuar zjarret do të intensifikohen gjatë ditëve në vijim.

MARKETING