(VIDEO) Sindikatat për kredinë hungareze: Qeveria të mos përsërisë gabimet e qeverive të kaluara
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut ka reaguar në lidhje me kredinë hungareze prej gjysmë miliard eurosh të cilën e paralajmëroi kryeministri Hristian Mickoski ditë më parë. Ata porositën Qeverinë që të veprojë me kujdes me planin për të ndihmuar ekonominë me këtë kredi dhe siç thonë ata të mos bëjë të njëjtat gabime si qeveritë e mëparshme.
LIDHJA E SINDIKATAVE TË MAQEDONISË SË VERIUT
“Sindikatat mund të luajnë një rol aktiv në kontrollin dhe parandalimin e keqpërdorimit të këtyre fondeve nëse kriteri kryesor është shpërndarja e fondeve për kompanitë që respektojnë dialogun social, nuk kanë keqpërdorur fondet buxhetore, nuk janë dënuar për shkelje të të drejtave të punës dhe ata kanë një sindikatë në nivel të punëdhënësit, gjithçka tjetër do të jetë dhuratë ose keqpërdorim”.
Në LSRMV thonë se nuk e shohin arsyeshmërinë që punëdhënësit të marrin gjysmë miliardë euro dhuratë nga shteti, para nga kredia dhe para që punëdhënësit nuk i paguajnë në buxhet, e që më pas i kthejnë punëtorët dhe qytetarët dhe që qeveria dhe punëdhënësit të kenë arsyetim për të mos e rritur pagën minimale në 450 euro, si dhe për të mos rritur pagat në sektorin privat dhe publik.
Kryeministri Hristijan Mickoski ditë më parë njoftoi se në vjeshtë priten të mbërrijnë një pjesë e parave nga kredia hungareze prej gjysmë miliardë eurosh. Ai tha se qeveria garanton se e gjithë procedura do të jetë transparente.
Ndërkaq lidhur me kredinë kanë reaguar edhe nga opozita. Lideri i LSDM-së Venko Filipçe në konferencën e djeshme për media shprehu shqetësimin për një kredi të tillë dhe kërkoi që zgjidhja ligjore të dorëzohet sa më shpejt në Kuvend.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/