(VIDEO) Lufta me zjarret, kërkohet ndihmë nga rajoni, ekipet e Turqisë arritën

(VIDEO) Lufta me zjarret, kërkohet ndihmë nga rajoni, ekipet e Turqisë arritën

Vazhdon lufta me zjarret të cilat kanë kapluar vendin tashmë për disa javë. Vala e të nxehtit që është aktive në vend, ka përkeqësuar gjendjen e zjarreve, në shuarjen e të cilave po luftojnë vazhdimisht zjarrfikësit, punëtorë të ndërmarrjeve publike dhe komunale, pjestarë të ushtrisë dhe policisë dhe shoqata vullnetare.

Nga qendra për menaxhim me kriza mëngjesin e sotëm kanë njoftuar se nëntë zjarre janë aktive në hapësirë ​​të hapur në vend ndërsa 17 zjarre janë shuar.

QENDRA PËR MENAXHIM ME KRIZA

Ende është aktiv zjarri në malin Serta, i cili shtrihet në tre komuna si katër zjarre të pavarura. Zjarret janë aktive në komunën e Novosellës, mbi fshatin Badilen, ku është përfshirë një pyll me pisha dhe në Komunën e Çashkës, afër fshatrave Drenovë dhe Jabollçisht i Poshtëm, ku është përfshirë një pyll i përzier. Zjarre aktive ka edhe në komunën e Dollnenit, në fshatin Cërnilishtë , në afërsi të fshatrave Slepçe dhe Gostirazhni dhe në Komunën e Gjevgjelisë, në mes të fshatrave Negorci dhe Kovanec, ku digjen lisa, bredha dhe bari i thatë”.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se në dy ditët e ardhshme situata do të jetë plotësisht nën kontroll. Ai tha se momentalisht ka arritur ndihmë nga Turqia dhe pritet ndihmë edhe nga Serbia, Mali i Zi dhe Sllovenia.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

Meqenëse po flasim për rajone jo të qasshme për momentin nuk nevojitet mbështetje tjetër përveç avionëve. Presim ndihmë dhe mbështetje nga Sërbia, Mali i Zi, Sllovenia dhe vlerësojmë që në dy ditët e ardhshme kjo do të vihet nën kontroll. Që qytetarët të jenë të qetë, ne jemi plotësisht në kontroll të situatës, sot kemi përforcime me avionë që do të mund të nxjerrin burime, ujë nga liqeni i Dojranit, veçanërisht në Novosellë. Kemi plan dhe gjatë 2 ditëve të ardhëshme puna do të jetë plotësisht nën kontroll”.

Në shuarjen e zjarreve që kanë kapluar vendin janë kyçur edhe pjestarë të ARM-së. Nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur se në terren ndodhen rreth 100 pjesëtarë të Ushtrisë, ndërsa janë aktivizuar dy helikopterët, të cilët ndërhynë fundjavën e kaluar dhe kanë hedhur 44 tonë ujë në lokacionet ku u kërkua.

Qeveria e RMV-së ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për shuarjen e zjarreve dhe dy ditë më parë ka shpallur gjendje krize për 30 ditë për shkak të zjarreve në territorin e vendit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING