Vazhdon mallkimi për Kane: ‘Një tjetër shans i humbur’. Southgate: ‘E ardhmja ime? Nuk dua të flas tani…’

Vazhdon mallkimi për Kane: ‘Një tjetër shans i humbur’. Southgate: ‘E ardhmja ime? Nuk dua të flas tani…’

Një tjetër finale e humbur dhe mallkimi që vazhdon. Harry Kane edhe një herë iu afrua ngritjes së trofeut të parë të karrierës së tij, por kapiteni i Anglisë, i zëvendësuar pas një ore lojë, e pa ëndrrën t’i shuhej katër minuta nga fundi i kohës së rregullt. Ishte Spanja, ajo që festoi në “Euro 2024”.

“Një disfatë vërtet e vështirë, që bëhet tejet e hidhur nga pësimi i golit në fund, – komentoi kapiteni anglez menjëherë pas vërshëllimës së fundit të arbitrit francez.

– Ishte një ndeshje e vështirë, por bëmë mirë dhe u kthyem në lojë me golin e barazimit (1-1). Më pas u befasuam nga një kundërsulm dhe gjithçka mori fund”.

Me atë të Gjermanisë, është Kampionati i dytë Europian radhazi i humbur në finale për Kane dhe Anglinë: “Një mundësi e humbur, sepse nuk është kurrë e lehtë të luash në një finale.

Mundësia duhet shfrytëzuar kur të të vijë, por ne përsëri nuk e bëmë. Më vjen keq, jashtëzakonisht keq, do të jetë e dhimbshme për një kohë të gjatë. Ne donim të fitonim për Southgate, tani ai do të marrë kohë për të vendosur se çfarë dëshiron të bëjë”.

Vetë trajneri i Anglisë tha se nuk është koha për të folur mbi të ardhmen e tij: “E ardhmja? Nuk mendoj se është koha e duhur për të marrë një vendim. Më duhet të flas me njerëzit e duhur, nuk mund ta vendos tani”.

Duke komentuar humbjen, trajneri i Anglisë tha se “është padyshim një disavantazh të kesh një ditë më pak për t’u përgatitur. Sidoqoftë, ishim në lojë për 80 minuta. Do të duhet pak kohë për ta tretur këtë disfatë”.

Për zëvendësimin e Kane: “Fizikisht ka qenë e vështirë për të. Ai erdhi në turne me vetëm disa ndeshje dhe ende nuk ka arritur nivelin që të gjithë do të kishim shpresuar. Lojërat janë jashtëzakonisht kërkuese dhe menduam se freskia e Ollie do të na lejonte për të shtypur më mirë. Mendoj se zëvendësuesit bënë atë që iu kërkuam”.

Mbi fituesin e “Euro 2024”: “Unë mendoj se Spanja ishte skuadra më e mirë në këtë turne. Ne nuk e mbajtëm topin mjaft mirë, por qëndruam në lojë deri në dhjetë minutat e fundit. Jam i shkatërruar për të gjithë, me të vërtetë. Lojtarët ishin absolutisht të jashtëzakonshëm, jam shumë krenar për atë që bënë”.

MARKETING