Spanja e Anglia luajnë për histori

Spanja e Anglia luajnë për histori

Pas finales së Kampionatit Evropian 2024 ndërmjet Spanjës dhe Anglisë, njëra prej skuadrave do të festojë. Dhe cilado që është ajo, do ta shkruajë historinë.

Spanja do të bëhej përfaqësuesja më e suksesshme në këtë garë, me një trofe më shumë të fituar sesa Gjermania. Do të ishte hera e katërt për spanjollët që triumfojnë në turneun e Evropianit.

Anglia do të bëhej kampione e trofeut kontinental për herën e parë nëse triumfojnë në finale.

Ndeshja ndërmjet Spanjës dhe Anglisë do të zhvillohet të dielën në “Olympiastadion” të Berlinit nga ora 21:00.

Spanja ka pasur rrugëtim të jashtëzakonshëm drejt finales. Tashmë ka shkruar historinë me gjashtë fitore dhe me rekord të qind për qindtë nga po aq ndeshje të luajtur. Është favorite. Anglia krejtësisht ndryshe, ka pasur vështirësi dhe mezi e kaloi çdo ndeshje të fazës nokaut. Por tani është në garë për trofeun e çmuar në kryeqytetin gjerman.

“I kam thënë nënës time se nëse fitojmë nuk dua dhurata. Dua vetëm të festojë në Madrid me bashkëlojtarët”, ka thënë Lamine, siç preferon ai të thirret, në një intervistë dhënë për gazetën spanjolle “Marca” të shtunën.

Spanja triumfoi në Evropian në vitet 1964, 2008 dhe 2012. Përgjatë kësaj periudhe, spanjollët e kanë fituar edhe një Kupë të Botës në vitin 2010. Fazën grupore e kaloi pa e pësuar asnjë gol dhe fare pak u sfiduan në fazën nokaut nga Gjermania dhe Franca. Spanja e eliminoi edhe Gjeorgjinë 4:1 në një të tetën e finales.
Në mesin e futbollistëve që shkëlqeu ndaj Gjeorgjisë ishte edhe Lamine Yamal, emri i të cilit njihet në mbarë botën tani. Sulmuesi i Barcelonës realizoi supergol ndaj Francës dhe e futi në librat e historisë, si golashënuesi më i ri në një Kampionat Evropian. Të shtunën e festoi ditëlindjen e 17-të.

Anglia nga ana tjetër kishte një fitore e dy barazime në fazën grupore.

Ishte vetëm disa sekonda larg eliminimit në një të tetën e finales së Evropianit nga Sllovenia. Jude Bellingham realizoi me goditje me gërshërë dhe e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Harry Kane më pas realizoi me kokë për avancimin e “Tre Luanëve” tutje, pa pasur nevojë të ekzekutoheshin penalltitë.

Por, falë penalltive më të sakta, Anglia avancoi tutje në gjysmëfinale dhe e eliminoi Zvicrën. Bukayo Saka ishte hero i anglezëve kur i barazoi shifrat dhjetë minuta pa u mbyllur ndeshja. Saka e shënoi edhe njërën prej pesë penalltive, për ta lënë pas kujtimin jo të mirë nga “Euro 2020”, kur Anglia u mposht në finale nga Italia në “Wembley”.

“Para tre vjetësh ishte shumë e vështirë në finale dhe e dimë se shumë vështirë do të jetë edhe të dielën. Trajneri thotë se ndeshja do të vendoset nga detajet e vogla, të cilat ne i kemi shfrytëzuar më së miri deri tani në këtë turne. Besimi është te të gjithë, por nuk e mendojmë të përfunduar garën. Kemi lojtarë të shkëlqyer në skuadër dhe jemi të bashkuar për sukses”, ka thënë kapiteni i Anglisë, Kane, të shtunën në konferencën për shtyp.

Ajo ishte hera e parë kur Anglia iu afrua shumë trofeut të Evropianit. Tjetër rast për triumf do të kenë të dielën. Në rast të fitores, për Anglinë do të ishte trofeu i dytë madhor pas 58 vjetësh, pas atij të vitit 1966, kur e fitoi Kupën e Botës.
Spanjës nga suspendimi për ndeshjen vendimtare të turneut i kthehet Dani Carvajal dhe Robin Le Normand.

Tek Anglia nuk është raportuar për ndonjë lëndim. Një ditë para finales kanë stërvitur gjithë futbollistët.

MARKETING