Kuvendi i RMV-së përkujton gjenocidin në Srebrenicë, Gashi: Gjenocidi i para 29 viteve nuk duhet harruar e as nuk guxon të përsëritet

Kuvendi i RMV-së përkujton gjenocidin në Srebrenicë, Gashi: Gjenocidi i para 29 viteve nuk duhet harruar e as nuk guxon të përsëritet

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është shënuar Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi tha se ngjarja e para 29 viteve është ende e freskët në memorien kolektive, ndërkohë që shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave, qytetarëve dhe institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Gashi tutje tha se, duhet treguar fëmijëve dhe gjeneratave të ardhshme se duhet respektuar diversitetet dhe se gjenocidi në Srebrenicë nuk duhet harruar e as nuk guxon të përsëritet.

“Në emër të deputetëve në Kuvend dhe në emrin tim personal u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë anëtarëve të familjeve të tyre, qytetarëve dhe institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe bashkëqytetarëve tanë boshnjakë. Gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive, veçanërisht në mesin e qytetarëve të këtyre hapësirave. Në korrik të vitit 1995, për vetëm disa ditë, u vranë më shumë se tetë mijë boshnjakë, nga mosha gjashtë mujore deri në 90 vjeç, në një nga krimet më të mëdha në territorin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore. Mijëra familje mbetën pa djem, baballarë, vëllezër, motra, nëna… Me qindra mbiemra të njëjtë apo të ngjashëm të shkruar në pllakat e mermerit në Potoçari janë dëshmitarë të heshtur të ekzekutimit të brezave të tërë në një familje. Ne duhet t’u dërgojmë porosi fëmijëve tanë, gjeneratave të ardhshme, se ata duhet t’i respektojnë diversitetet dhe ta kundërshtojnë urrejtjen, paragjykimet dhe stereotipet. Andaj, gjenocidi si në Srebrenicë nuk guxon të harrohet, por edhe nuk guxon të lejohet të përsëritet”, tha mes tjerash Afrim Gashi.

MARKETING