(VIDEO) LSDM dhe VMRO përplasen për kriminelët

(VIDEO) LSDM dhe VMRO përplasen për kriminelët

Zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska sot në një konferencë për media ka akuzuar se Maqedonia е Veriut është kthyer në Perëndim të egër nga koha kur Pançe Toshkovski është bërë ministër i punëve të brendshme. Sipas saj vendi është kthyer në një vend të rrezikshëm ku çdo ditë ndodhin vrasje, djegie makinash dhe dhunë që mbetet e pazbardhur.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

“Joefikasiteti i MPB-së të udhëhequr nga Toshkovski dhe VMRO-DPMNE stimulojnë edhe më shumë krimin, e përkeqëson sigurinë dhe i inkurajon personat e armatosur që qarkullojnë lirshëm në vend. Vrasja e fundit në Tetovë është vetëm një nga rastet e pazbardhura për shkak të paaftësisë së VMRO-DPMNE-së, e cila sa herë që është në pushtet, në vend mbretërojnë bandat e rrugëve. Sa për t’ju kujtuar, jo më pak, saktësisht 4 vrasje dhe 3 tentativa vrasjesh kanë mbetur të pazbardhura në gjashtë muajt e fundit, ose mesatarisht një në muaj”.

I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së të cilët thanë se qeverisja LSDM-BDI ishte simbol i paligjshmërisë dhe forcimit të nëntokës dhe se gjatë qeverisjen së tyre ndodhi përballja brutale në mes klanit të Duqanxhikit dhe atij të Haraçinës.

VMRO-DPMNE

“Fytyra e shëmtuar e qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së nënkuptonte edhe përballjen brutale të klanit të Duqanxhikit dhe Haraçinës. Kjo luftë klanore arriti kulmin në kohën e Oliver Spasovskit, kur në kabinetin e tij ishin persona të lidhur ngushtë me strukturat mafioze dhe në konfrontime të drejtpërdrejta, si në hotelin Aleksandar Palace, policët së bashku me kriminelët merrnin pjesë. Sundimi i LSDM-së dhe BDI-së ishte simbol i paligjshmërisë dhe forcimit të nëntokës”.

Akuzat e ndërsjellta të 2 partive vijojnë pas vrasjes në Tetovë që ndodhi ditën e premte.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING