(VIDEO) LSDM nesër zgjedh kryetarin që ka mision ringritjen e partisë
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë të dielën e zgjedh kryetarin e ri. Pas zgjedhjeve të 8 majit, kur kjo parti kishte humbje të thellë duke marrë vetëm 18 mandatë deputetësh, përkundër kundështarëve të tyre politik VMRO-së, e cila mori 52 mandate, menjëherë natën e shpalljes së rezultateve, kryetari Dimitar Kovaçevski pranoi humbjen për të dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit ditë më vonë. Kështu partia nisi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë. Katër kandidatë shfaqën interes për ta zënë postin e kryetarit dhe shpallën kandidaturat. Venko Filipçe, Sllavjanka Petrovska, Jovan Despotovski dhe Aleksandar Bajdevski shpalosën programin e tyre para anëtarëve të LSDM-së.
Zgjedhjet e brendshme në LSDM do të mbahen nesër nga ora 08:00 deri në orën 20:00, ku 23.373 antarë të akredituar të partisë do të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të votojnë në 77 vendet e votimit. Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor të LSDM-së Viktoja Avramovska-Mandiq është zotuar për proces legjitim, transparent dhe demokratik.
Ndërkohë, nga kandidatët, ende pa u mbajtur zgjedhjet, ka shprehur pakënaqësitë e saj, kandidatja dhe ish ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, e cila një ditë para se të mbahen zgjedhjet në LSDM e tërhoqi kandidaturën. Ajo thotë se edhe përkundër asaj që në takim me përfaqësues të KQZ-së ka vënë në dukje parregullsi të shumta, nuk ka marrë asnjë përgjigje që, siç thotë ajo, do të përgënjeshtronte pretendimet e saj.
Sllavjanka Petrovska, ish kandidate
“Sipas statutit të LSDM-së të gjithë kandidatët duhet të kenë mundësi të barabarta për prezantim dhe lobim, kështu dje në takimin e mbajtur në hapsirat e partisë me përfaqësues të KQZ-së, informova për vërejtje serioze në këndvështrim të saktësisë dhe legjitimitetit të Listës Zgjedhore, keqpërdorimit të të dhënave personale të mijëra anëtarëve të LSDM-së, që vazhdon dhe sot. Për fat të keq, nuk mora asnjë përgjigje që do të përgënjeshtronte këto pretendime”.
Petrovska më herët kishte kërkuar anulim të procesit të votimit përshkak të siç ka thënë procesit zgjedhor jofer. Madje ajo pati “kërcënuar” partinë se nuk do të ushtroj asnjë funksion tjetër në parti në qoftë se nuk zgjidhet e para e LSDM-së.
Ish kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, ka shprehur mbështetjen e tij për Venko Filipçen që ta udhëheq partinë, gjë që është konsideruar e papranueshme për Petrovskën, duke thënë se mbështetja nga cilido ish kryetar për cilindo kandidat, do të shkaktoj ndarje të reja në parti.
Emine Ismaili /SHENJA/