Vazhdojnë protestat para Bashkisë së Tiranës

Vazhdojnë protestat para Bashkisë së Tiranës

Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërkohë edhe protesta e sotme është shoqëruar me tensione, raporton Anadolu.

Protesta e 14-të është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë protestës u dogjën edhe goma, si dhe u hodhën tymuese dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë, ndërkohë disa protestues u përplasën me forcat e policisë.

Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësues i opozitës, Dorjan Teliti, gjatë fjalës në protestë u shpreh se betejën do ta vazhdojnë akoma më fortë.

“Ne do të vazhdojmë të rezistojmë. Fjalën tonë nuk e ndal dot askush derisa të jemi me të drejtën dhe me të vërtetën. Ne këtu do të qëndrojmë”, tha Teliti.

Koordinatori rajonal i PD-së për Tiranën dhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, theksoi se po protestojnë “sepse në Shqipëri nuk ka drejtësi”.

“Ne protestojmë për drejtësi. Ne protestojmë për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri për shqiptarët”, tha Balliu.

Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Tiranës dhe ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, gjatë fjalës në protestë u shpreh se rëndësi ka që të mbrojnë interesin publik.

“Për ne rëndësi ka që taksat e qytetarëve t’i mbrojmë çdo ditë. Ne nuk do ndalim aksionin tonë”, tha Këlliçi.

Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe gjatë javës së ardhshme.

Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.

MARKETING