(VIDEO) Betohen nënkryetarët e rinj të Kuvendit të RMV-së
Deputetët Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE, Jovan Mitrevski nga LSDM dhe Vesna Bendevska nga ZNAM janë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët i ka konfirmuar sot Komisioni për Çështje Zgjedhore dhe Emërime.
BDI nuk ka propozuar kandidat të sajin për nënkryetar të Kuvendit. Në seancën e sotme të Komisionit kanë kaluar edhe propozimet për ekipimin e komisioneve tjera kuvendare.
Me shumicë të votave sot është miratuar Propozim – vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për zgjedhjen e kryetarëve, nënkryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të komisioneve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është pranuar kërkesa për realizimin e pagave pas përfundimit të detyrës së deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kërkesa për realizimin e pagesës së largimit me pension nga ish-deputetët, si dhe kërkesa për pagë pas përfundimit të detyrës si anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/