Disa rajone në Maqedoni në fazë portokalli, qeveria miratoi disa rekomandime
Gjevgjelia, Bogdanci, Vallandova dhe Dojrani sot dhe nesër janë në fazë portokalli, pasi Qeveria mbajti seancë të jashtëzakonshme për shkak të paralajmërimeve për valë të të nxehtit në shtet dhe ka miratuar disa rekomandime.
Nga i nxehti do të preken edhe territoret e rajonit të Shkupit dhe Vardarit, por të fazës së verdhë (alert – gatishmëri). Në këto rajone do të jenë në fuqi rekomandimet e përgjithshme.
“Nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Institutit për Çështje Hidrometeorologjike janë marrë informacione se më 11 dhe 12 qershor territori i qyteteve Gjevgjeli, Bogdanci Vallandovë dhe Dojran do të përfshihet me temperatura të larta të fazës së portokalltë dhe qeveria mbajti seancë shkaku i paralajmërimeve për valë të nxehtit në shtet dhe ka miratuar rekomandimet përkatëse deri tek Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në kumtesën e Pres shërbimit të Qeverisë.
“Qeveria për qytetet që do të preken nga faza portokalli rekomandon që grupet më të prekura të popullsisë, pra gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç të lirohen nga detyrimet e punës. Në kopshte nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxjerrën jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të dobët dhe të pastrehë”.
“Duke pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, Qeveria u kujton punëdhënësve detyrimin për respektimin e rregulloreve ligjore në këtë fushë”, thonë nga Qeveria.